Greva eskalon në tetë orë, nuk bëhen as teste për COVID-19

Punëtorët shëndetësorë përsëri, këtë të enjte, u futën në grevë tetë orëshe.

Kjo u bë me një vendim të përbashkët nga Federata Sindikale e Shëndetësisë, për shkak se mantelbardhët po duan që Ligji i Pagave sa më parë të shkojë në Kuvend.

Meqë, sipas FSSHK-së, të gjitha nivelet shëndetësore i janë përgjigjur pezullimit të punës, edhe punonjësit e IKSHPK-së e bënë një gjë të tillë.

Te tenda e testimit për COVID-19 pranë institutit nuk u mor as edhe një mostër e vetme për testim, sikurse që u injoruan edhe analizat tjera.

E në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në kryeqytet, pacientët vijnë e shkojnë pa marrë ndonjë shërbim, përveç ekipeve të urgjencës, të cilat ofrojnë shërbime për kategori të caktuara në terren.

Ndaj ka edhe pacientë të atillë që shprehen të revoltuar ndaj grevës.

Ndërkaq, sindikalistët e shëndetësisë thonë se të hënën e ardhshme do të vendoset nëse do të ashpërsohet greva, apo jo.