Pagoi 30 mijë euro, Naim Murseli dyshohet se e porositi me pagesë vrasjen e gruas së tij

Policia e Kosovës sot ka arrestuar Naim Murselin si të dyshuar në rastin e vrasjes së gruas së tij, Liridona Murselit. Përveç tij është arrestua edhe një person nga Gjakova. Bazuar në dëshminë e personit të dytë të arrestuar të dhënë para Policisë, dyshohet se Naim Murseli e ka paguar atë për vrasjen e gruas. Personi i dytë i arrestuar i cili edhe ka pranuar veprën, ka deklaruar se Murseli ia ka dhënë 30 mijë euro për ta kryer aktin e vrasjes

Mbrëmjen e së mërkurës, një vrasje në rrugën “Dalip Alshiqi” tronditi Prishtinën.

Raportimet fillestare pohuan se Liridona Murseli u vra nga disa grabitës, teksa po udhëtonte me makinë së bashku me bashkëshortin dhe dy fëmijët e saj.

Burime të Indeksonline bëjnë të ditur se Policia ka arrestuar sot bashkëshortin e të ndjerës, Naim Murselin, ish-këshilltar i Behgjet Pacollit.

Burimet e njëjta kanë pohuar se Naimi ka qenë drejtpërdrejt i përfshirë në vrasjen e bashkëshortes së tij.

Po ashtu thuhet se janë gjetur prova bindëse që dëshmojnë fajësinë e Naimit në këtë rast. Sipas tyre, ekzistojnë xhirime të kamerave që dëshmojnë se Naim Murseli, është takuar me autorin e vrasjes së Liridonës.

Ky i fundit është arrestuar po ashtu nga policia.

Burime të Indeksonline kanë shtuar se i dyshuari në fjalë është Granit Plava.

Plava ka pranuar akuzën, duke shtuar dyshimet që vrasja është porositur nga vet Naim Murseli.

Ai dhe Murseli raportohet të jenë bashkëfshatarë.

Ndërkohë, Policia ka bërë të ditur se hetime intensive janë duke u zhvilluar në Gjakovë.

“Pas përfundimit të ekzaminimit të vendit të ngjarjes, janë ndërmarrë veprimeve intensive hetimore të cilat kanë rezultuar në arrestimin e dy personave të dyshuar lidhur me rastin e sipër shënuar.

Njësiti i hetimeve të përgjithshme të Prishtinës në koordinim me Prokurorinë është duke e vazhduar operacionin e bastisjes në dy lokacione në Gjakovë” ka bërë të ditur policia.

Sipas burimeve të Gazetës Express, bazuar në dëshminë e personit të dytë të arrestuar të dhënë para Policisë, dyshohet se Naim Murseli e ka paguar atë për vrasjen e gruas. personi i dytë i arrestuar i cili edhe ka pranuar veprën, ka deklaruar se Murseli ia ka dhënë 30 mijë euro për ta kryer aktin e vrasjes.