Gruaja që ra nga një ndërtesë në Podujevë, dyshohet se bëri vetëvrasje

Një grua e moshës rreth 50-vjeçare ka vdekur këtë të shtunë në Podujevë, pasi ka rënë nga lartësia e një objekti.

E njëjta dyshohet se ka bërë vetëvrasje, ka thënë për Telegrafin zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj.

“Sipas hetimeve preliminare dyshohet për vetëvrasje, ku me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. Rasti është iniciuar hetim mbi vdekjen”, ka deklaruar Ulaj.

Ndryshe, ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00 në rrugën “Isuf Koliqi”, ndërsa vdekjen e viktimës e kanë konstatuar mjekët emergjentë.

“Rreth orës 14:00, është raportuar se në rrugën ‘Isuf Koliqi’ në Podujevë, një person ka rënë nga lartësia e një objekti. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes ku ka ftuar edhe mjekët emergjentë të cilët kanë konstatuar se personi, femër, rreth 50 vjeç, është pa shenja jete”, ka thënë Agron Borovci – zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës.

Ai ka bërë të ditur se policia ka nisur punën për zbardhjen e plotë të të gjitha rrethanave që karakterizojnë rastin.