Hadergjonaj: Emrin tim e keni gjetur mbi një dëshmi të rrejshme

Ish-deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Safete Hadergjonaj, gjatë dëshmisë së saj, të mërkurën në gjykimin ndaj Pjetër Shalës, tha se Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ia kanë gjetur emrin e saj mbi një dëshmi të rrejshme.

Sipas saj, çdo dëshmi që është dhënë për luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është e fabrikuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Çdo dëshmi e cila është dhënë për luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që kanë bë luftë të pastër dhe të drejtë, është dëshmi e fabrikume… Unë jam e ulun këtu mbi një dëshmi të rrejshme që e kuptova sot këtu se unë nuk e kam ditë pse kam ardhë në Hagë këtu”, tha ajo.

Hadergjonaj tha se nuk e kishte ditur se si e kanë gjetur emrin e saj, për ta ftuar për të dëshmuar si dëshmitare.

“Nuk e kam ditë si e keni gjet emrin tim për me m’thirrë këtu, domethënë e keni gjet mbi një dëshmi të rrejshme”, tha dëshmitarja Hadergjonaj.

Ndryshe, edhe i akuzuari Pjetër Shalës kërkoi që të marrë fjalën, mirëpo kjo gjë nuk u aprovua nga kryetarja e trupit gjykues Mappie Veldt- Foglia. Sipas saj, Shalës kjo mundësi do t’i jepet nesër, me kërkesën e avokatit mbrojtës të tij, pasi ky i fundit kërkoi që të konsultohej me të.

Zyra e Prokurorit të Specializuar përmes prokurores Gaia Pergiolo ka përfunduar pyetjet për këtë dëshmitare, mirëpo dëshmia e saj do të vazhdojë edhe ditën e nesërme.