Hadërgjonaj zbulon se çka i tha kryeministri Ramush Haradinaj pasi vendosi të luajë për Kosovën

Florent Hadërgjonaj iu bashkua Kosovës në ndeshjet e qershorit, ndërsa ishte takuar me kryeministrin Ramush Haradinaj, i cili i kishte uruar mirëseardhje.

Florent Hadërgjonaj është futbollisti më i ri i Përfaqësueses së Kosovës në futboll.

Mbrojtësi i cili luan me skuadrën angleze Huddersfielnd Town në Angli, Kosovës iu bashkua për ndeshjet e fundit ndaj Malit të Zi dhe Bullgarisë.

Debutimin në fanellën e ‘Dardanëve’ e bëri ndaj Bullgarisë në Sofje ku Kosova arriti fitore me rezultat 3:2.

Në një intervistë për emisionin “Ich bin Albaner”, Hadërgjonaj është shprehur i entuziazmuar që i është bashkuar skuadrës së drejtuar nga Bernard Challandes.

24-vjeçari me prejardhje nga Deçani e kujton edhe takimin me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj i cili gjithashtu është nga rrethi i Deçanit.

“Ne ana e Deçanit nuk jemi njohur për futboll. Mirë u bë që erdhi dikush nga ana jonë (Deçani) në mënyrë që edhe ne ta kemi edhe një përfaqësues”, ka thënë Florent Hadërgjonaj.

Hadërgjonaj pritet që në ditët e ardhshme të vendos se në cilën skuadër do ta vazhdojë karrierën.