Hajdari për heqjen e taksës: S’kishte ndikim, realiteti ndryshe

Ministrja e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdari, ka thënë se ndikimi i tarifës 100 për qind ndaj mallrave serbe dhe atyre të Bosnjës, nuk ka qenë ashtu siç është pritur.

Ajo në një konferencë për media ka thënë se ishte e domosdoshme heqja e tarifës për lëndën e parë, sidomos për sektorin e ushqimit dhe ndërtimtarisë.

“Ne të gjithë e kemi përkrahur më herët këtë tarifë, por realiteti është ndryshe. Ndikimi i saj në Kosovë nuk ka qenë siç është pritur. Ndryshimet në zvogëlimin e importit tregojnë qartë për efektin e tarifës. Qeveria dëshmon se është e përkushtuar në raportet me aleatët ndërkombëtarë. Heqja e taksës nga lënda e parë për bizneset vendore ishte e domosdoshme, për sektorin ushqimor dhe ndërtimor. Ndonëse disa biznese kishin arritur të gjejnë lëndët e para nga shtetet tjera, duhet të pranojmë se bizneseve iu ka kushtuar më shtrenjtë sigurimi i saj”, ka thënë ajo.

Hajdari thotë se një pjesë e konsiderueshme e importeve të Serbisë ka ardhur përmes ekonomisë jo formale ose përmes Maqedonisë.

Sipas saj, Qeveria ka vepruar duke treguar vullnet dhe përkushtim, derisa shton se presin reflektim edhe nga pala e tjetër.

“Ne kemi pas një grup punues me të cilët kemi punuar për t’i identifikuar barrierat që i kemi me Serbinë, dhe ato i kemi mbledhur në një dokument”, ka thënë ajo.