Lista Serbe në Graçanicë e fajëson Kurtin për situatën në veri

Lista Serbe në Graçanicë ka ofruar përkrahje për serbët në veri të vendit dhe atyre që kanë marrë vendim të largohen nga institucionet e Kosovës.

Sipas njoftimit të tyre, fajtor për zhvillimet e fundit është kryeministri Albin Kurti.

“Për këtë hap të kryesisë së Listës Serbe, e cila gjithmonë është udhëhequr nga politika e stabilitetit politik, bashkëpunimit dhe zhvillimit, është përgjegjës regjimi i Albin Kurtit, i cili mban përgjegjësi politike dhe morale për situatën aktuale”, thuhet në njoftimin e Listës Serbe në Graçanicë.

Ndërkohë, sot në Kosovë, Lista Serbe ka vendosur që të largohet nga institucionet qendrore të Republikës së Kosovës, si dhe nga komunat në veri të vendit, transmeton Klankosova.tv.

“Ne kemi vendosur të largohemi nga të gjitha institucionet politike, Kuvendi, Qeveria, dhe nga katër komunat në veri të Kosovës, por edhe që të largohen serbët nga gjyqësori, policia si dhe stafi administrativ në katër komunat në veri”, ka thënë kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq pas takimit.