Hajnat shfrytëzuan pandeminë, në Kosovë ndodhën mbi 3 mijë vjedhje

Mbi 3 mijë vjedhje kanë ndodhur në Kosovë, gjatë pandemisë, më saktësisht në periudhën kohore mars-prill 2020.

E afro 500 sosh kishin mbetur në tentativë.

Në bazë të raporteve ditore të Policisë së Kosovës, kryesit e veprës penale nuk kanë kursyer asgjë për të marrë me vete.

Siç duket kosovarët kanë shfrytëzuar kohën e pandemisë për të sulmuar shtëpi, dyqane, depo e lokale.

IndeksOnline ka siguruar të dhëna nga Policia e Kosovës se sa vjedhje kanë ndodhur saktësisht gjatë kohës kur njerëzit ishin mbyllur në shtëpitë e tyre për shkak të dispozitave shëndetësore gjatë pandemisë.

Sipas të dhënave, në periudhën mars-prill 2020, kanë ndodhur 1,616 vjedhje, ndërsa 219 të tilla ishin në tentivë.

Kurse, në të njejtën periudhë, kishin ndodhur 1,540 vjedhje të rënda, e 237 sosh në tentativë.

“Policia e Kosovës vazhdimisht ka punuar në luftimin e dukurive negative dhe krijimin e një sigurie të qëndrueshme për të gjithë qytetarët e vendit, qoftë përmes planeve operacionale policore apo edhe përmes fushatave të ndryshme vetëdijesimi.

Ne në kuadër te rajoneve dhe stacioneve policore përveç zyrtarëve te rregullt patrullues kemi edhe njësitet e hetimeve te cilat merren me trajtimin respektivisht hetimin e rasteve te vjedhjeve. Rastet kompletohen dhe përcillen tek organet e drejtësisë per vendime të mëtejme, po ashtu edhe numri i te arrestuarve behet i ditur ne raportet 24 orësh qe PK-ja i publikon ne baza ditore.

Lidhur me kërkesën tuaj bazuar në të dhënat e PK-së, ne vijim keni të dhënat për rastet nga neni 313 dhe 315 për periudhën kohore Mars-Prill 2020, në nivel te RKS-së”,thuhet në përgjigjen e Policisë.