Hajnat tmerrojnë 60-vjeçarin në Pejë, i futen në shtëpi

Grabitjet e vjedhjet nëpër shtëpi e banesa përveç që po sjellin humbje të mëdha, po shkaktojnë edhe pasiguri e ankth te qytetarët, që shpesh përballen me hajdutët, të cilët i zënë në flagrancë. Kështu ka ndodhur edhe të hënën pas mesnate në rrugën ‘Bekim Berisha’ në Pejë.

Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se rasti është raportuar nga pronari i shtëpisë i cili ka rrëfyer tmerrin që përjetoi ën pikë të natës, kur hajnat iu futën në shtëpi dhe i zuri në flagrancë.

Sipas informacioneve të para, bazuar në dëshminë e viktimës, dy të dyshuarit i zbuloi pasi shkaktuan zhurma kur depërtuan brenda dhe posa u zgjua, i takoi papritmas në shtëpi.

Të njëjtat burime thonë, se hajnat dyshohet se kanë grabitur disa pajisje të shtëpisë dhe veshje, e po ashtu e kanë kërcënuar pronarin e shtëpisë, duke i kërkuar para e gjësende me vlerë dhe më pas janë larguar.

Si rezultat i denoncimit, Policia ka arritur ta identifikojë njërin nga personat e dyshuar, që doli të jetë i moshës së mitur, i cili tashmë është arrestuar.

Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e hetimit për të zbardhur rrethanat në të cilat ka ndodhur rasti.