Zhvillime të shumta pati sot në kuadër të seancës parlamentare të Kuvendit të Kosovës.
Edhe pse parashihej që të diskutohej mbi arsimin dhe çështjen e energjisë elektrike në veri, seanca rrodhi krejtësisht ndryshe.
Që në fillim kur u hapën debatet parlamentare filluan tensionet mes deklarimeve të deputetëve.
Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla mori fjalën ku edhe tha se janë pikërisht deputetët e PDK-së të cilët e mundësuan Gjykatën Speciale dhe se ajo nuk ra nga qielli.
Pas kësaj filloi një tensionim mes deputetëve, teksa më vonë shefit të Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi iu ndërpre fjala.
Me këtë rast deputetët filluan të lëshojnë sallën, teksa kryesuesja e seancës Saranda Bugujevci kërkoi nga ta që të kthehen.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi është pyetur nga gazetarët se si i komenton deklaratat e ministres Gërvalla.
Gashi tha se ishin deklarata të tepruara, transmeton lajmi.net.
“Mendoj se janë deklarime të tepruara dhe të panevojshme, ato deklarime rrallë herë janë dëgjuar në sallën e Kuvendit. Mendoj se vendit i duhet më shumë liria dhe demokracia”, tha ai.