Haliti: Ka të tillë që i paguajnë komisionerët e numërimit të votave

Nënkryetari i PDK-së dhe kandidati për deputet, Xhavit Haliti, ka thënë se ende nuk dihet se cilët kandidatë nga kjo parti kanë arritur të zgjedhen deputetë.

Ai në “Imazh” të RTK-së, i ka hedhur poshtë raportimet e disa mediave të cilat e kanë publikuar një listë të kandidatëve më të votuar të PDK-së, e në të cilën nuk është emri i tij.

Haliti tutje ka thënë se PDK-ja nuk ka rënie në Pejë, në komunën ku ai është kryetar i degës.

Ai tutje ka hedhur akuza ndaj komisionierëve që numërojnë votat e kandidatëve në Qendrën e Numërimit në Fushë Kosovë.

“Ka plot prej atyre që paguajnë komisionerët që numërojnë votat. Edhe arushat e dijnë këtë. Ligji e ka legjitimu këtë. Është sikur unë të ulem me tre shokë dhe i bëjmë ato gjëra. Këtij ia shtojmë disa vota, atij ia marrim disa, e kështu me radhë”, ka thënë Haliti.

Sipas tij, duhet të ketë transparencë në numërimin e votave, e jo kjo të bëhet në mënyrë të fshehtë.

Haliti ka thënë se Kosova duhet t’i ketë të paktën shtatë zona zgjedhore ose të shkohet sipas sistemit mazhoritar.

“Edhe mbyllja e listave është më e mira, prandaj duhet të jetë një metodë e numërimit që mundëson jo manipulimin e numërimit. Të ketë edhe kamera gjatë numërimit që secila votë të shihet”, ka thënë Haliti.