Haliti: Nëse SHBA-ja merr masa të reja, do të ishte katastrofë për Kosovën

Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti deklaron se ndërkombëtarët janë shqetësuar për vendimin sa i përket ndalimit të përdorimit të dinarit serb pasi që është marrë para kohe.

Ai për Front Online thotë se për këtë çështje është dashtë të bisedohet dhe të kishte hapësirë kohore.

Kurse, sa i përket deklaratave të ambasadorit amerikan në Kosovë Hovenier i cili ka paralajmëruar pasoja në rast se nuk dëgjohen kërkesat e SHBA-së, Haliti ka pohuar se nëse kjo e fundit vendos masa ndaj Kosovës do të ishte një katastrofë.

“Unë nuk pres, dhe po besoj që nuk do të duhej që qeveria e ShBA-së të merr masa kundër Kosovës. Ndoshta, kundër individëve të cilët janë të papërshtatshëm dhe nuk iu përmbahen atyre negociatave dhe shkelin ligjet, e ku ta di unë është një çështje tjetër por sa i përket masave në këto rrethana atëherë do të ishte katastrofë për Kosovën”, ka deklaruar Haliti.

Deputeti Haliti, thotë që dëshiron të besoj se aventura politike për interesa elektorale duhet të ndërpritet.

“Unë shpresoj dhe po dua që të besoj se aventura politike për interesa elektorale të ndërpriten dhe të bëhet një marrëveshje në mes të vendeve të QUINT-it dhe ambasadorit të ShBA-së dhe të funksionojë normalisht dhe të lihet një hapësirë kohore kur të hyj në fuqi ky vendim”, ka shtuar ai.

Më 1 shkurt, në Kosovë ka hyrë në fuqi një rregullore e Bankës Qendrore të Kosovës që parasheh që vetëm valuta euro të përdoret për pagesa, duke i dhënë fund përdorimit të dinarit serb.

Hyrja në fuqi e rregullores së BQK-së ka ngritur shqetësime te popullata serbe në Kosovë, e cila ka përdorur dinarin serb për të kryer pagesa.

Me këtë valutë, pagën e kanë marrë edhe punonjësit në institucionet serbe në Kosovë, por edhe me dinarë janë paguar edhe pensionet, sipas sistemit serb si dhe shtesat për fëmijë dhe ndihmat sociale.

Gjithashtu, në zonat ku banojnë serbët, dinarët janë përdorur në objektet tregtare, ndërkaq në katër komunat me shumicë serbe në veri, çmimet janë me dinarë.

Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë, paraprakisht e kishte thënë se vendimi i BQK-së rrezikon mbijetesën e serbëve në Kosovë.