Hamza: Më përkrahin edhe partitë tjera, përfshirë aktivistë të VV’së

0
114

Bedri Hamza, kandidat i PDK’së për kryetar të Mitrovicës ka treguar se pse qytetarët duhet t’i besojnë atij mandatin në krye të komunës. Hamza në emisionin “Pressing” në T7, thotë se ai ka marrë përkrahje në shumë prej partive tjera, përfshirë anëtarë të partive që kanë kundërkandidatë të Hamzës.

“Unë jam një kandidat për Mitrovicën përtej Partisë Demokratike për shkak se jam i përkrahur edhe nga subjektet e tjera politike”, thotë Hamza.

“Edhe nga Aleanca Kosova e Re, edhe nga Partia e Drejtësisë, edhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma, subjekte politike me atë fuqi politike që kanë”, sqaroi ai.

“Të jeni të bindur që kam përkrahje edhe nga njerëz që u takojnë subjekteve politike që kandidatët e tyre i kanë në garë, sidomos elektorat i caktuar i Vetëvendosjes”, thotë Hamza.

Por pse?

“Bahtiri në Vetëvendosje ka ardhur shumë vonë dhe një pjesë e elektoratit ndoshta s’e njohin, ndoshta s’e pranojnë dhe ata janë përcaktuar për të më përkrahur mua në këtë proces zgjedhor. Po flas për aktivistë të VV’së të cilët kanë qenë qysh nga themelimi”, sqaron Hamza.