“Hapja e spitaleve rajonale, e rëndësishme”/ Pipero: Vaksina do të jetë fundi i kësaj pandemie

Mjeku infeksionist, Pëllumb Pipero deklaroi sot se do të ishte i pari që do të bënte vaksinën kundër COVID-19. Gjatë një interviste në media, Pipero theksoi se nga studimet e deritanishme nuk janë evidentuar efekte të rëndësishme anësore të vaksinës.

Pipero shtoi se megjithëse nuk ka studim për efektet afatgjata të vaksinës kundër COVID-19, në përgjithësi vaksinat japin shumë pak efekte anësore afatlargëta.

“Vaksina jo vetëm do të jetë efikase, por besoj se do të jetë edhe fundi i kësaj pandemie”, deklaroi ai.

I pyetur në lidhje me përballimin e situatës me shtimin e rasteve, Pipero theksoi se “nuk ka spitale edhe në vende të tjera të botës ku pacientët nuk presin për shtrim”.

“Pret edhe për të hyrë në spital, edhe për të hyrë tek urgjenca, por unë asnjëherë nuk kam vënë në dyshim kapacitetet e spitaleve tona për të përballuar fluksin e epidemisë. Ajo që kam këmbëngulur vazhdimisht është mundësia që kemi për të mos ezauruar kapacitetet e spitaleve. Ka një lloj skepticizmi të qytetarëve për të ardhur në spital. Ajo që shohim ne në praktikën e përditshme klinike, është që rastet na vijnë në forma të rënda. Sepse, së pari shkojnë tek mjeku i familjes, kalojnë te disa mjekë specialistë, pastaj vijnë tek ne”, theksoi ai.

Nga ana tjetër, Pipero theksoi rëndësinë e hapjes së spitaleve rajonale. Kjo sipas tij, do të lehtësonte jo vetëm mjekët në spitalet universitare për t’u dhënë atyre mundësinë të kujdesen vetëm për rastet e rënda, por do të lehtësonin edhe familjarët e të prekurve nga COVID-19.

“Hapja e spitaleve rajonale do të bënte që të shfrytëzoheshin në maksimum kapacitet që kemi. Por edhe për familjarët është më e lehtë të menaxhojnë situatën afër shtëpisë së tyre. Nuk ka arsye që Tiranën ta mbingarkojmë. Mjekët e këtyre spitaleve janë trajnuar ashtu siç kemi trajnuar edhe mjekët e familjeve”, tha Pipero.

Pipero tha se deri tani nuk kam hasur raste te personave te riinfektuar. Kemi patur raste kur personi ka pretenduar, por tha ai, nga hetimi epidemiologjik ka rezultuar se nuk ka qenë i riinfektuar. /atsh/