Haradinaj: AAK-ja nuk pranon Qeveri teknike

Kryeministri në largim i Kosovës, Ramush Haradinaj, të hënën në emisionin ‘Pressing’ në T7, ka folur për gjendjen aktuale të politikës e cila është krijuar pas dorëheqjes së tij. Haradinaj ka bërë të ditur se partia e tij nuk do ta pranojë një Qeveri teknike apo të përkohshme.

Haradinaj ka thënë se në rrethanat e tashme, pas dorëheqjes së tij, Kosova veçse i ka filluar zgjedhjet.

“Në rrethanat e tashme Kosova është duke shku në zgjedhje, veç ka fillu procesi për zgjedhje, nuk ka Qeveri teknike, e dinë krejt partitë pse, pra është një kontest i hapur në tema të rënda edhe [përgjegjësinë duhet me e delegu qytetari, e jo ma ne njëri-tjetrit, sepse dihet si ka shku procesi.

I pyetur se çka do të ndodhë nëse Presidenti do të provojë ta arnojë një koalicion tjetër, Haradinaj ka thënë se nuk ka koment.

“Unë e kam dhënë mendimin tim, nëse Presidenti shkon në një rrugë tjetër ajo është rruga e tij dhe ai jep përgjegjësi për atë. Sipas meje, mandatin ia kam kthy qytetarëve, veç te populli është i sigurt, pra unë s’e kam më. Përmes rregullit Kushtetues, Presidentit, shpërbërjes së Parlamentit, shpalljes së zgjedhjeve. Nëse ka nevojë për një mocion për shpërbërje të Parlamentit e voton edhe Aleanca”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka bërë të ditur se nëse do të provohet që të krijohet një Qeveri teknike apo Qeveri e përkohshme, AAK’ja nuk do ta përkrahë.

“Jo, unë në emër të AAK’së ia kam kthy mandatin popullit. Veç te populli shikohet tash, pra është ndarja, Dodik Republika, taksa. Nuk mendoj se dikush tjetër e respekton popullin, mendoj që është mirë me ia kthy popullit një herë, si të vendosë populli me zgjedhje unë e respektoj. Aktualisht mendoj se ideja e ndonjë Qeverie teknike është në kurriz të Kosovës, është në kurriz veç me i thellu këto dëme që i kemi pasur nga këto agjenda të këqija deri tash kundër Kosovës”, ka theksuar Haradinaj në Pressing.