Haradinaj: Aleanca nuk e përkrahë Hysenin si koordinator – nuk ishim në dijeni për emërimin e tij

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, nuk e ka përkrahur emërimin e Skender Hysenit si koordinator shtetëror për dialogun.

Haradinaj anise ka respekt për Hysenin mospërkrahjen e arsyetoi se nuk ishte në dijeni për emërimin e tij.

“E ka emëruar Skender Hysenin për të cilin kam respekt por i pari që ia përkrahu është presidenti Thaçi, nuk ia ka përkrahur Aleanca për shembull sepse as nuk kam qenë në dijeni. Asnjë mesazh nuk e kam marrë as nga Hoti as nga Mustafa se do ta emëroj Skender Hysenin për këtë punë”.

“Nuk ka ndodhur ndonjë e keqe këtu por nëse e përvetësojnë dialogun, e dëshirojnë të bëhen një klub i ngushtë për këtë temë, në rregull, puna e mbarë por të mbajnë përgjegjësi”.

“Kur të vini në Parlament edhe ne ua themi mendimin tonë, nuk funksionon kështu, në të kaluarën i kanë shkaktuar dëme Kosovës, kështu kemi mbërri te tavolina e Mogherinit kur një klub i vogël e njerëzve, klubi i njëjtë që të ka përfaqësuar ne kemi mbetur duke i shikuar”, deklaroi Haradinaj.

Po ashtu Haradinaj deklaroi se kryeministri Hoti nuk ka të drejtë ta kyç Kosovën në një proces pakufi.

“Përveç dinamikës kohore që Hoti nuk ka të drejtë të flasë në emër të Kosovës, nuk e gëzon atë të drejtë, ai nuk e gëzon të drejtën me e kyç Kosovën në një proces pa kufi, pa asgjë të qartë, nga takimi në takim, nga tema në temë”.