Haradinaj: Asociacioni duhet të jetë pjesë e marrëveshjes përfundimtare

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, thotë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të jetë pjesë e marrëveshjes përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërsa qeveria duhet të trajtojë me kujdes situatën në veri.

“Besoj që bëhet fjalë për dy etapa, pra një etapë është vetëm heqja e barrikadave, qarkullimi i lirë, jeta, kthimi në shkolla, kthimi në jetë ta quaj ashtu ajo baza e parë. Kjo lidhet me këto arrestimet e fundit të këtyre policëve dhe personave të tjerë që i ndjek drejtësia, shpresoj të gjendet një formulë që drejtësia ta kryejë misionin e vet, por edhe qytetarët serbë dhe barrikaduesit ta kuptojnë se nuk është kundër tyre dhe të hiqen barrikadat. Ndërsa po është thënë që kthimi në institucione do të ndërlidhet me Asociacionin, por me siguri që këto janë procese të dyja, edhe kthimi edhe Asociacioni nuk janë çështje që zgjidhen njëherësh ose për një ditë. Mendoj se sa i përket Asociacionit zgjidhja vjen me marrëveshjen finale, ndërsa kthimi në institucione është një proces i brendshëm që duhet të ndodhë edhe Prishtina duhet të intensifikojë një dialog të brendshëm me serbët lokal”.

“Tani ka fituar në peshë Asociacioni dhe ky ka qenë edhe shqetësimi im në të kaluarën, e kam lutur edhe kryeministrin Kurti që të ketë kujdes nga këto veprimet e njëanshme, për shkak se pastaj do të ketë edhe kërkesa ta quajmë ashtu të njëanshme. Ne tani kemi arritur në situatën kur veçse hetohet një qasje ndëshkuese ndaj qeverisë dhe kryeministrit për veprimet e tij të njëanshme ose befasuese në terren”, u shpreh Haradinaj.

Haradinaj, në një intervistë për Zërin e Amerikës, tha se propozimi evropian i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara për një marrëveshje Kosovë – Serbi paraqet njohje të ndërsjellë pavarësisht që kjo nuk përmendet në dokument.

“Besoj që rrugëdalja nga kjo gjendje është kthimi pikërisht atje te pikënisja, te propozimi amerikan për tabelat në atë kohë, por që tani nënkupton kthimin te marrëveshja finale pra bazike dhe jo te ajo lufta kush kënd e mund me veprime në terren, për shkak se lufta guerile me veprime gjoja të fitohet epërsi në terren, mund të dalë nga kontrolli dhe të krijojë pasiguri më të madhe”, tha Haradinaj.