Sherri në Aeroport: I dyshuari u kap me zyrtarët pasi iu anulua udhëtimi për Gjermani, përfundon në mbajtje

Zyrtarët që kujdesen për rendin dhe sigurinë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” janë sulmuar gjatë ditës së djeshme nga një qytetar. Gazeta Sinjali ka publikuar pamjet e këtij momenti, që u bënë virale, teksa motivi i rastit nuk dihej. Burimet thonë se i dyshuari tashmë ndodhet në mbajtje dhe është zbuluar arsyeja që e shtyri të njëjtin t’iu vërsulej zyrtarëve në aeroport.

Siç mëson Sinjali, i dyshuari M.J., 42-vjeçar, fillimisht ishte kapur me sigurimin e aeroportit, e më pas edhe iu vërsul një rreshteri policor, në shenjë mllefi për shkak të anulimit të udhëtimit nga agjencia ku e kishte blerë biletën për Gjermani.

Ky rast ka ndodhur në hyrje të aeroportit, derisa shumë qytetarë të tjerë po prisnin në rend, i njëjti fillimisht ka çmontuar shenjueset që të qojnë drejt sporteleve, duke tentuar që me njërën prej tyre të thyejë një nga sportelet e aeroportit.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i sigurimit të Aeroportit, por që qytetari në fjalë ka rezistuar edhe ndaj tij, duke tentuar ta sulmojë edhe atë.

Në vendin e ngjarjes ka dalë Policia, me ç’rast kanë arrestuar të dyshuarin, i cili më pas është shoqëruar në stacion policor për intervistim. Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarit dhe inicimin e rastit ndaj tij.