Haradinaj: Bashkimi kombëtar projekt historik, tash të heqim taksën e rrugës

Projekt historik e ka quajtur bashkimin kombëtar Kosovë – Shqipëri, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj.

Ai ka thënë se ky projekt është i shekujve, por në etapën në të cilat ndodhen aktualisht Kosova dhe Shqipëria, është me rëndësi që të thellohet bashkëpunimi e të hiqen pengesat, duke specifikuar taksën në Rrugën e Kombit.

“Çështja e bashkimit kombëtar është projekt i shekujve, por në etapën që ndodhemi mendoj se është me rëndësi që Kosova e Shqipëria të thellojnë bashkëpunimin e gjithanshëm, të heqim pengesat burokrative e administrative e të tjera, ose të heqim taksën e rrugës. Do të ishte mirë të veprojmë më konkret dhe të ndihmojmë lidhjen më të fuqishme ekonomike, të gjithanshme, Kosovë – Shqipëri”, ka thënë ai pas mbledhjes së Qeverisë, duke komentuar deklarimet e fundit të presidentit Hashim Thaçi për bashkimin kombëtar.