Haradinaj: Deklaratën e 2 Korrikut e jetësoi Ushtria Çlirimtare e Kosovës

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se më 2 Korrik 1990, deputetët kosovarë me gjithë presionin e kërcënimet nga pushteti Millosheviqit, nxorën aktin të cilin shqiptarët e prisnin me dekada.

Haradinaj në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se deklaratën e 2 Korrikut e jetësoi Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

“Me 2 korrik 1990, deputetët kosovarë, me gjithë presionin e kërcënimet nga pushteti i Millosheviqit, nxorën aktin të cilin shqiptarët e prisnin me dekada.

Deklarata me të cilën Kosovës i hapej rruga për të qenë e barabartë me entitetet e tjera, edhe pse nuk u lejua të zbatohej, me forcën e armëve e tankeve, dërgoi mesazhin në gjithë botën për përcaktimin e shqiptarëve për liri e pavarësi.

Duke qenë falënderues për të gjithë deputetët e asaj legjislature, deklaratën e tyre e jetësoi Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

2 korriku do të mbetet përgjithmonë në kujtesën historike të shqiptarëve”, shkruan kreu i AAK-së.