Haradinaj: Delegacioni ynë e lejoi largimin e pikës 10, njohjen reciproke

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Daut Haradinaj, ka thënë se AAK nuk është kundër Marrëveshjes së Uashingtonit, por që kanë vërejtje rreth negociatave dhe një pike në marrëveshje.

“Marrëveshja nuk ka qenë befasi. Vetë qëndrimi i Grenell që tha për persona të caktuar në Kosovë që nuk po japin ide por vetëm po kritikojnë tregojnë që kjo marrëveshje është diskutuar më herët. Delegacioni ynë lejoi largimin e pikës 10, njohjen reciproke”, thotë ai në emisionin Pressing në T7.

Tutje ai flet edhe për raportet brenda koalicionit qeverisës.

“Koalicioni është stabil. Kryeministrin e kemi votuar vetë dhe e mbështesim. Por i kemi të qarta disa parime kur jemi dakorduar për koalicionin. Njëra nga to ka qenë transparenca në dialog dhe koordinimi. E përsëriti edhe një herë, duhet të ketë përfaqësim shumë më të madh se sa ky koalicion. Nuk ka rëndësi kush shkon e kush vjen. Marrëveshjet mbesin. Kërkojmë të jemi pjesë e barabartë në tavolinë të dialogut. Natyrisht se kompetencat i mbesin kryeministrit, kjo edhe me kushtetutë”, shtoi ai.