Haradinaj: Do të hapen vende të reja pune

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj ka paraqitur sot para investitorëve projekte të rëndësishme përmes të cilave ai synon hapjen e vendeve të reja të punës, transmeton Fokusi.info.

Përmes një postimi në Facebook, thotë se Qeveria do të jetë partnere për zhvillimin ekonomik.

Postimi i plotë në Facebook:

Projekte të rëndësishme nga fusha e infrastrukturës, energjisë alternative, prodhimit ushqimor dhe jo ushqimor, me fizibilitet të përfunduar, të cilat fillimisht u paraqitën në Samitin e Londrës, sot u prezantuan para investitorëve potencialë nga Fondi i Investimeve Amerikane.

Kisha nderin që të shpalos para tyre interesimin e vendit, për zhvillimin e rrietit hekurudhor dhe ndërlidhjen me gazsjellësin TAP. Nga përfaqësuesit e këtij grupi financiar pamë interesimin për investime të mëdha kapitale. I njoftova ata për Zonën e Veçantë Ekonomike Amerikane, ligjin për investimet strategjike dhe klimën e favorshme në të bërit biznes. Qeveria do të jetë partnere, për zhvillim ekonomik dhe hapjen e vendeve te reja te punës.