Haradinaj e mbyll urimin për fundvitin me thënien: Kalkulimet për një grusht votash nuk e bëjnë shtetin

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, në një postim në Facebook ka bërë bilancin e qeverisjes së tij gjatë këtij viti, ku ka radhitur sukseset, sfidat, e dhimbjet e përjetuara.

Haradinaj ka përmendur edhe momentin, ku ftesa e papritur nga Haga, e ka sfiduar atë personalisht, duke e detyruar të japë dorëheqje nga posti i kryeministrit.

Sipas tij, kjo ishte një sfidë për Kosovën, për të dëshmuar se demokracia është stabile dhe se në kohë krizash, vendimmarrja i kthehet sovranit.

Postimi i plotë:

Në pritjen e fundvitit të organizuar nga Zyra e Kryeministrit përmbyllëm një vit me suksese, sfida, e dhimbje.

Unë poashtu isha i sfiduar me ftesën e papritur në moment kritik. Dorëheqja ime testoi Kosovën për të dëshmuar se demokracia jonë është stabile dhe se në kohë krizash vendimmarrja i kthehet sovranit.

Sukseset:

1. Ushtria e Kosovës po konsolidohet në ushtri inteligjente me standarde të NATOs;

2. Kosova ka arritë pavarësinë energjetike dhe Trepça është gati për investime;

3. Investitori i parë strategjik SOWI + Parku ITP – me Gjermaninë;

4. Shtrirja e sundimit të rendit dhe ligjit edhe në Veri të vendit;

5. Transparencë e plotë në qëndrime politike, vendime dhe qasje në dokumente zyrtare – tani më është bërë ndryshimi duke instaluar kulturën qeverisëse me llogaridhënie të plotë.

Sfidat

1. Injorimi i arritjeve të Kosovës drejt liberalizimit të vizave për arsye politike nga BE;

2. Rikthimi i dialogut në binarë – dialog mes shteteve e jo dialog për nënshtrim – Kjo logjikë duhet të vazhdojë deri në njohje reciproke në kufijtë ekzistues pa vonesa e sfida artificiale;

3. Mbajtja e taksës 100% e cila nuk e pengon reciprocitetin. Tentimet për Minishengen dhe reciprocitet bëhen për të hequr taksën dhe nënshtruar Kosovën. Orientimi i Kosovës është drejt BE-së e jo drejt izolimit rajonal. Drejt NATO-s e jo Rusisë.

4. Keqpërdorimi i ndjenjave fetare për përfitime gjeopolitike është i rrezikshëm dhe ne duhet të jemi bashkë në luftimin e kësaj.

Dhimbje:

1. Tërmeti në Shqipëri na goditi të gjithëve pa dallim.

2. Sulmet terroriste anembanë botës e qytetarëve të lirë i përjetuam rëndë. Kosova qëndron fuqishëm përkrah SHBA-ve dhe aleancës globale kundër terrorizmit.

Krenari:

1. Sukseset e rinisë së Kosovës në sport e kulturë kanë mahnitur botën.

Mësimet nga ky vit:

1. Kur jemi unik jemi më të fortë – bashkë në tema nacionale.

2. Kalkulimet për një grusht votash nuk e bëjnë shtetin.

Ju uroj festat e fundvitit!

Zoti ju bekoftë ju dhe familjet tuaja, Zoti e Bekoftë Kosovën dhe miqtë e saj.