Haradinaj: E papranueshme aktakuza ndaj Nik Gjeloshajt

Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj, ka reaguar pasi Prokuroria Themelore e Shtetit në Podgoricë ka ngritur një aktakuzë kundër kryetarit të Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshajt.

Haradinaj, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “të linçohet një kryetar në shekullin 21 në mes të Evropës, vetëm se ngriti zërin për të drejtën e qytetarëve të cilët i përfaqëson, është e papranueshme”.

Postimi i plotë i Haradinajt:

“Nik Gjeloshaj, kryetari i Tuzit sot ballafaqohet me një aktakuzë për rezistencë.
Të linçohet një kryetar në shekullin 21 në mes të Evropës, vetëm se ngriti zërin për të drejtën e qytetarëve të cilët i përfaqëson, është e papranueshme.
Kjo rezistencë për të drejtat e shqiptarëve sot, është rezistencë e të gjithë neve kundër regjimeve që persekutojnë, shtypin dhe mohojnë vlerat euro-atlantike.
Kosova dhe Mali i Zi janë vende mike që së bashku rrugëtojnë drejt integrimeve evropiane. Andaj, së bashku duhet t’i rezistojmë çdo tendence që ka për qëllim pengimin e kësaj rruge, qoftë edhe kur shpërfaqet në persekutimin e liderëve lokal që mbrojnë të drejtat e shqiptarëve apo vlerave që ne përfaqësojmë”, ka shkruar Haradinaj.

Në bazë të aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore e Shtetit në Podgoricë, Gjeloshaj akuzohet për thirrje për rezistencë dhe mosbindje ndaj vendimit të ligjshëm të një organi shtetëror dhe ndaj një zyrtari në kryerjen e detyrave zyrtare, si rezultat i të cilit vendimi i ligjshëm i organit shtetëror nuk u zbatua, sepse në 24 shkurt ai organizoi një takim me furnizuesit e ushqimit nga Tuzi dhe u bëri thirrje atyre që të hapin objektet e tyre hotelierike, në kundërshtim me urdhrin e Ministrisë së Shëndetësisë, e cila ndalon punën e objekteve hotelierike, në mënyrë që të parandalojë përhapjen dhe transmetimin e coronavirusit.