Kongresmeni Eliot Engel sot në Gjakovë për një arsye shumë të veçantë

Kongresmeni amerikan Eliot Engel, që njihet edhe si miku i madh i shqiptarëve, sot do ta vizitojë qytetin e Gjakovës.

Madje, ai ka një arsye të fortë për këtë vizitë.

Kongresmeni Engel do të marrë pjesë në ceremoninë e emërtimit të rrugës Ponoshec – Qafë Morinë që do ta mbajë emrin e tij, njofton Klan Kosova.

Ai më pas do të vendosë kurora me lule te Sheshi “Tom Lantos” derisa me fillim nga ora 16:30 do të ketë edhe një takim me kryetarin e komunës së Gjakovës, Ardian Gjini.

Eliot Engel ka ardhur në Kosovë me rastin e hapjes së objektit të ri të Ambasadës të Shteteve të Bashkuara që u bë simbolikisht më 4 korrik, Ditën e Pavarësisë së SHBA-së.

Kongresmeni amerikan në fjalimin e tij para të pranishmëve në ceremoninë e përurimit të objektit të ri të Ambasadës së SHBA-së tha se kjo është një dëshmi që gjërat e mira mund të ndodhin dhe se ky veprim për të është ëndërr e realizuar.

”Është mrekulli të jem sot këtu. Është e mrekullueshme të jem pjesë e miqësisë së kosovarëve. Njerëzit e Kosovës kanë punuar shumë. E dua Kosovën”, ka deklaruar ai.