Haradinaj: “Është Gjynah që shumica e Veteranëve të vdesin duke pritur të dëshmohet se nuk janë mashtrues”

0
593

Nënkryetari i OVL të UÇK-së, Nasim Haradinaj, i është gëzuar vendimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës për ta refuzuar pezullimin e pensioneve për 19 mijë persona të cilët akuzohen se po përfitojnë pensionin e veteranit të luftës pa qenë të tillë.

Në një prononcim për Insajderin, Haradinaj ka thënë se do të ishte ‘gjynah’ që shumica e personave që ndodhen padrejtësisht në atë listë të mos marrin pensionin deri sa të vërtetohet se janë veteranë. Ai ka thënë se ata do të mund të mos ishin në jetë deri sa të vërtetohet se nuk janë mashtrues.

“Unë jam gëzu që u dëshmu që e drejta triumfon. Unë kam qenë shumë i sigurt se nuk ka bazë juridike mos me u marrë ky vendim. Prokurorinë na e përshëndesim. Ndoshta prej 19 mijëve, munden me qenë 3000 mashtrues, hipotetikisht po flasim, por është gjynah 16 mijë persona të dëmtohen, se boll janë dëmtu me futjen e tyre në listë. Ata do të dëmtoheshin duke pritur një proces që mundet me zgjatë me vite, e ata të mos jenë as në jetë kur atyre t’u kthehet e drejta e pensionit, dhe këtu është gabimi”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka thënë se OVL e UÇK-së është e gatshme t’i dërgojë Prokurorisë materiale për ta pastruar listën sa më shpejt. Ai ka thënë se është kundër që politika të nxitë vendime arbitrare të Gjykatës.

“Ne jemi të gatshëm që prokurorisë çdo gjë që kemi, prova, material që kemi t’i ndihmojmë që lista le të pastrohet, sepse ne jemi ata që e kemi thirrë prokurorinë, prandaj dojmë që prokuroria të jetë e suksesshme. Por nuk dojmë që me prokurori të përzihet politika, e t’i shtin me marrë vendime arbitrare”, ka thënë ai.

Sipas Haradinajt, duhet të formohet një grup punues që sa më shpejt t’i gjejë fajtorët dhe t’i detyrojë ata t’i kthejnë paratë.

“Nëse dojnë përnime, duhet ta financojnë prokurorinë me këshilltarë ligjorë, me ba grup punues shumë të madh, ku sa ma shpejt me hi me i verifiku këto, me i dënu fajtorët dhe me i detyru me i kthy parët, pa u dëmtu veteranët. Se edhe ky 170 euro unë mendoj që është lëmoshë. E të luhet me dinjitetin e kësaj mase e cila është ma e ndishmja që padrejtsisht është duke u fyer qe disa kohë dhe padrejtësisht janë duke u bërë të padrejta. Në vend se me qenë temë për shembull, këta e kanë zbritë në temë për keq.. Këtu është arsyeja. Nëse donë me kursy shtetin, të formohet një trup i veçantë që do të punojë çdo ditë dhe unë besoj që e kryejnë shumë shpejt”, ka thënë Haradinaj.

Në fund, Haradinaj ka folur edhe për arsyet e fryerjes së listave. Ai mendon se ka një marrëveshje mes partive politike për fryerjen e listave. Arsyeja kryesore për fryerjen e listave, sipas tij është rritja e anëtarësive të partive me vota.

“Unë mendoj që shumica e arsyejeve e fryerjes së listave, përpos nepotizmit, shumica kanë qenë më tepër politike: rritja e anëtarësisë me vota. Kështu që asnjë parti, as pozitë as opozitë nuk është e paimplikuar këtu. Unë besoj që partitë kanë pasë marrëveshje mes vete për këtë punë. Unë besoj se do të zbulohen edhe profiterë, që kanë përfituar para për të futur njerëz nëpër lista”, u shpreh Haradinaj.