Haradinaj fajëson Vetëvendosjen për mos formimin e institucioneve

Lëvizja Vetëvendosje e cila doli e para në zgjedhje po fajësohet nga kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj, për vonesat në krijimin e institucioneve.

Sipas tij, e gjithë përgjegjësia për formimin e institucioneve bie mbi fituesin e zgjedhjeve dhe jo mbi ata që dolën pas tyre.

“Ne jemi parti opozitare, kemi kauzë pjesëmarrjen në një qeverisje të Kurtit, e respektojmë vendimin e sovranit, kush ka fitu, presim prej atyre t’i marrin përgjegjësitë pra mos ta vonojnë formimin e Qeverisë. Nuk bjen përgjegjësia e njëjtë mbi të dytin, mbi tretin pas zgjedhjeve, zakonisht në sistemin tonë parlamentar i pari e mban përgjegjësinë ai që i ka fitu zgjedhjet ai është përgjegjës me i kriju institucionet”, ka thënë Haradinaj.

Tek sa ka komentuar deklaratat e Ambasadës Amerikane në Kosovë se qeveria në detyrë po kryen shpenzime jo të arsyeshme e po emëron në pozita njerëz jo të duhur, Haradinaj ka thënë se fituesi i zgjedhjeve nuk lodhet për këto çështje dhe e vonon formimin e Qeverisë.

“Kosova e ka rrugën e vet, jemi të sfiduar si vend është mirë që t’i ndërtojmë institucionet tona sa më shpejtë, pra ata që i kanë fitu zgjedhjet edhe t’iu kthehemi temave qeverisëse ashtu si e tha edhe Ambasada e Amerikës një ditë më herët. Vazhdimisht është mendu se po ndodhin shpenzime jo të arsyeshme, emërime jo të duhura, probleme tjera tani fituesi i zgjedhjeve nuk lodhet për këto por e vonon krijimin e institucioneve. Nuk e kuptoj mandatarin ose fituesin pse nuk e krijon qeverinë, këtu është problemi Nuk duhet me u mërzit kush ku shkon sa duhet me u mërzit pse spo I kryejmë ne punët tona”, ka thënë Haradinaj.

Tashmë kanë kaluar më shumë se dy muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve dhe dy partitë fituese Vetëvendosja dhe Lidhja Demokratike e Kosovës pavarësisht tentativave të shumta nuk po arrijnë marrëveshje për bashkëqeverisje.

E, ajo për të cilat këto dy parti nuk po bien në ujdi është posti i presidentit dhe ministrit të Punëve të Brendshme.

Kujtojmë se më 26 dhjetor do të mbahet seanca konstituive e legjislaturës së shtatë.