Haradinaj i përgjigjet Ramës

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka folur pas shkrimit të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i cili të mërkurën tha se nuk i ka bërë presion Haradinajt për heqje të taksës, siç kishte thënë kryeministri i Kosovës.

Shefi i qeverisë në Kosovë u ka thënë gazetarëve se do të tregojë të vërtetën çdo herë, edhe kur të tjerëve nuk u pëlqen. ‘Rrno për me tregu’, ka thënë Haradinaj duke cituar At Zef Pllumin.

Kryeministri i Kosovës ka thënë se i ka vëllezër të gjithë shqiptarët, pavarësisht a janë të majtë apo të djathtë.

Ai nuk ka  pranuar të komentojë gjatë fjalët e Edi Ramës, veçse tha se do të tregojë cdo herë të vërtetën, për hir të transparencës.

“Për mua shqiptarët  edhe të majtë edhe të djathtë janë vëllezërit dhe motrat e mija, ua kam borxh të vërtetën. Atë që e ka thënë At Zef Pllumi, ‘rrno me tregu’, do t’ u tregoj të vërtetën, edhe kur ju pëlqen edhe kur nuk u pëlqen dikujt, do u tregoj sepse jemi në obligim ndaj qytetarëve tonë, të një transparence të asaj që po ndodh në këto procese të interesit nacional, këtë do ta bëj edhe në të ardhmen”, tha Haradinaj.

Haradinaj kishte thënë se ka pasur presion edhe nga kryeministri i Shqipërisë për heqje të taksës ndaj produkteve serbe.