Haradinaj: Jam pro korrigjimit të kufijve Kosovë – Serbi

Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL UÇK), Nasim Haradinaj në një intervistë për “Bota Sot” ka deklaruar se është pro korrigjimit të kufijve Kosovë-Serbi, por jo edhe shkëmbimit të territoreve. 

“Se sa herë zmbrapset presidenti unë nuk e di, mirëpo me korrigjim jam dakord edhe unë. Unë nuk kam dëgjuar që presidenti ka thënë shkëmbim. Me korrigjim jam dakord, sepse edhe si nxënës ne kemi pasur korrigjime, mirëpo ato nuk janë bërë për të keq, por për të mirë. Një korrigjim për të mirë, është amanet i krejt luftëtarëve. Nëse ne e marrim vetëm një shtëpi, ose 2 km më shumë, kujt i pengon kjo?”, ka thënë ai.

“Kush e tha që duhet të japim veriun? Korrigjim nëse bëhet mirë, nëse nuk bëhet, jemi këtu ku jemi. Këta që po thonë po e ndalim veriun, kush po ua jep atëherë. Nëse ne paskemi forcë me ndalë, nuk ta merr atë askush. Kjo politikë po çon në përçarjen e faktorit politik dhe mendjes së popullit dhe po bëhen zhurma. Mund të ndodhin të dyja, ta marrin andej dhe ta humbin këndej. Po nëse këtë e kemi, nuk kemi nevojë me humb. Nëse këtë nuk e kemi, që padrejtësisht na janë marrë, pse mos t’i kërkojmë. Pse Serbia nuk po thotë mos të kërkojmë Kosovën se na e marrin Preshevën?!”, ka deklaruar Haradinaj.

“Pse ne duhet të themi “mos të kërkojmë Preshevën se na e marrin veriun”? Vet po ua mundësojmë këtë?! Korrigjimi nëse bëhet për të mirë, unë e përkrahi me krejt qenien time dhe besoj që krejt luftëtarët janë për këtë. Shumë njerëz po e luajnë politikën e serbit. Vet fakti që ta thuash në popull që munden të na e marrin Mitrovicën, nuk është kjo diçka e vogël. Këtë propagandë serbe është shtrenjtë me pagesë, e ne e bëjmë pa para. Shkëmbimet janë pazare dhe janë të dëmshme për shtetin tonë”, shprehet ai.

Lidhur me themelimin e Tribunalit, ai ka thënë se kjo Organizatë përkrah iniciativën për Themelimin e Tribunalit që do të merret me gjykimin e krimeve serbe në Kosovë, nëse Rezoluta amendamentohet dhe kërkohet të futet në ligj të Prokurorisë Speciale. Haradinaj ka thënë se iniciativa e Kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli, nëse mbetet vetëm si Rezolutë, do të ishte një farsë politike.

Por, nëse kjo amandamentohet dhe kërkohet të futet në ligj të Prokurorisë Speciale, që ishte me amandemente, atëherë mendoj që është iniciativë e duhur dhe besoj që do të arrijë efektin e vet. Organizata e Veteranëve të Luftës, edhe pse shumë herë është keqpërdorur qëllimisht, asnjëherë nuk ka qenë kundër zbulimit të krimeve që kanë ndodhur në Kosovë. Por, ka qenë kategorikisht kundër Gjykatës në formë një etnike ose parciale. Deputetët tanë e kanë votuar për turp këtë Gjykatë, kjo është raciste dhe e pa të drejtë që ka ndodhur vetëm në inkuizicionet dhe ligjet ku ka pasur Hitleri, fashmizmin, kur i ka ndjekur jahuditë.

Nasim Haradinaj, ka dhënë komentin e tij për përplasjen e fundit të Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi me deputetin e LDK-së dhe ish eprorin e UÇK-së, Anton Quni.

“Kosharja është politizuar në kuptimin kur Anton Quni ka kaluar deputet në LDK. Për mua nuk është interesant se si duket sot Hashim Thaçi, por në atë kohë, nëse Quni apo Nasim Haradinaj i thotë Thaçit, “ti ke qenë një frikacak në luftë dhe në paqe”, unë e pyes Qunin dhe të gjithë ne që kemi luftuar. Ai (Thaçi) ishte njëshi jonë, kupola e UÇK-së, drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të UÇK-së dhe të gjithë ne ishim bartës të tij. Nëse komandanti im ishte një frikacak, kush jam unë? Kush është Anton Quni dhe Nasim Haradinaj? Ai e harroi logjikën që kjo i duket atij se i sjellë vota, por çdo njeri që kërkon vota në dëm të shtetit dhe luftës çlirimtare, për mua është më tepër se armik i vet luftës dhe vetvetes. Kështu që mendoj se ato kanë dalë pa i menduar mirë Anton Quni”, tha ai.

“Anton Quni në jetën e tij nuk e ka njohur as Hashimin, as Xhavit Halitin, as nuk ka pasur punë me ta. Edhe me i lavdërua Anton Quni ata, prapë gabon, sepse nuk i njeh. Quni ka të drejtë të kritikojë për politikën dhe këto që ndodhin sot, mirëpo për pjesën e luftës ato për Qunin, janë mars, Jupiter se ai nuk i ka mbërritur ato. Edhe sikur ta lavdëronte Quni – Thaçin, do të ishte fyerje edhe më e madhe, sepse i bie që e ka bërë për politikën e tij”, shprehet Haradinaj.