Haradinaj ka një kërkesë për Policinë e Kosovës

Në pritjen festive për fundvit, Policia e Kosovës u konsiderua si institucioni më kredibil për qytetarët e vendit tonë dhe nga ky institucion u kërkua të jetë më vigjilent karshi lëvizjeve të shtetasve rusë në Kosovë.

Kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj u shpreh se Policia e Kosovës ka arritur të ofrojë qetësi dhe rend publik për të gjithë qytetarët, pa dallim. Sipas tij ky institucion ka mbuluar vakumin të përgjegjësisë së rendit publik.

Nga pjesëtarët e Policisë së Kosovë kryeministri në detyrë kërkoi që të jenë më vigjilentë karshi lëvizjeve të shpeshta të shtetasve rusë në Kosovë.

“Nuk është e lehtë për të siguruar rendin publik në një vend që është ende në tranzicion, në një vend ku përgjegjësitë e rendit publik dhe të sigurisë janë të organizuara në atë mënyrë që ka plot partnerë të sigurisë…Policia ka mbuluar vakumin më të madh të mundshëm të përgjegjësisë të rendit publik, besoj edhe në siguri edhe iu inkurajoj ta ndjeni këtë përgjegjësi edhe në të ardhmen mos krijonin që të krijohet vakum që do të shfrytëzohet prej armiqve të rendit publik të sigurisë besa të përfitoj edhe terrorizmi, por jo vetëm terrorizmi por përfitojnë edhe mekanizma që janë të motivuar armiqësisht ndaj Kosovës në të kaluarën e kemi pasur rrezikun dhe ende është permanent terrorizmin dhe mos të harrojmë ndikimin rus në Ballkan. Dëshirë e tyre që agjendat tyre t’i plasojnë në Ballkan dhe Kosovë. Kohët e fundit jemi dëshmitarë që ka një frekuencë më të madhe të lëvizjeve të shte tasve rusë, pra duhet ta kemi parasysh që Kosova duhet të jetë vigjilente të mbrojë veten. Çdo polic, çdo police duhet ta ndjejë përgjegjësinë për këtë“, theksoi ai.

Për punën dhe angazhimin e bërë në Policinë e Kosovës, Haradinaj e nderoi me medaljen Gjergj Kastriot-Skënderbeu drejtorin e Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj.

Ndërsa, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa u shpreh se policia si institucioni me besueshmërinë më të lartë të qytetarëve të Kosovë po e kryen punën e saj për çka është e mandatuar.

“Statistikat tregojnë se shumë shtete të ndryshme nuk kanë ngritje për një vit të cilat i ka pasur siguria në shtetin tonë nga puna jonë e palodhshme. Ju jeni ata të cilët 24 orë e mbikëqyrni shtetin dhe qetësinë dhe rendin publik të qytetarëve. Ajo na tregon se familjet e Kosovës jemi të sigurt dhe kemi një prosperitet në këtë shtet. Falë fakteve që na tregojnë se Policia e Kosovës një nga institucionet më kredibile edhe më të besueshme në shtetin e Kosovës tregon se Policia e Kosovës po e bënë punën atë që e ka të përshkruar me detyrë“, u shpreh ai.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj tha se ky institucionin ka arritur që t’i realizojë objektivat e tij në ruajtjen e rendit dhe qetësisë në Kosovë.

Derisa i ka prezantuar disa nga të arriturat e Policisë së Kosovës, Qalaj tha se falë aksioneve të shumta të ndërmarra gjatë këtij ka ulje të rasteve të raportuara në 9.4 për qind, ndërsa numri i veprave penale ka shënuar rënie me 16.21 për qind.

Sipas tij, Policia e Kosovës gjatë këtij viti në fushën e luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar ka shkatërruar 7 grupe kriminale të organizuara.

Në luftimin e trafikimit me narkotikë, Qalaj tha se janë goditur 15 grupe kriminale, ndërsa në fushën e trafikimi me qenie njerëzore janë trajtuar 139 raste, raste të reja 121 dhe janë shkatërruar tri grupe kriminale.

“Gjatë këtij viti kalendarik kemi pasur më pak 9.04 për qind të rasteve të raportuara në Policinë e Kosovës, gjithmonë është fjala për periudhën janar-23 dhjetor 2019. Po ashtu, kemi pasur 16.21 për qind më pak vepra penale të të gjitha llojeve, kemi pasur 36.3 për qind më pak vrasje në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Në rrafshin e krimit të organizuar dhe korrupsionit janë hetuar 198 raste prej tyre 145 raste të reja. Në fushën e krimeve ekonomike janë hetuar 136 raste prej tyre 125 raste të reja, në fushën kundër pasurisë janë hetuar 163 raste prej tyre 133 raste të reja. Janë organizuar 14 operacione, janë realizuar 21 plane operative, janë arrestuar 80 persona të ndryshëm janë ngritur 342 kallëzime penale ndaj 654 personave të dyshuar, si dhe janë shkatërruar 7 grupe të organizuara kriminale”, u shpreh Qalaj.

Gjatë kësaj ceremonie me medaljen policore për mburojë u nderua familja e policitë të vrarë në detyrë gjatë këtij viti, Izet Demaj të cilën e mori bashkëshortja e tij. Kjo medalje u nda edhe për Hysen Ademaj.

Me medaljen policore për trimëri u nderua polici Fatmir Gashi dhe Hajruall Arifaj, ndërsa Kristë Jetishi mori medaljen për shërbim të dalluar. Me medalje policore për lëvdim u nderuan Irfan Bunjaku, Amir Azemi, rreshteri Haxhi Kadriaj, Naim Dushica, Millorad Veliq etj. /Gazeta Sinjali/