Haradinaj: Kemi propozuar tri zëvendësime, presim që PZAP ta certifikojë listën e kandidatëve për deputetë

299

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj po pret që Paneli Zgjedhor për Aneksa dhe Parashtresa (PZAP) sot ta certifikojë listën e plotë të kandidatëve për deputetë të partisë së tij.

Këtë optimizëm Haradinaj e bazon në zëvendësimin e tre kandidatëve që ishin në kundërshtim me nenin 29 pikën “q” të Ligjit për Zgjedhje.

Në të kundërtën, Haradinaj tha se do të ndjekin rrugët tjera ligjore për t’u ankuar në Gjykatën Supreme.

“Ne kemi propozuar tre zëvendësime në listë edhe poashtu kemi shpjegu situatën me doktor Dreshaj që ka kalu afatin tre vjeçar. Ne presim sot që të certifikohet lista jonë. Sido që të jetë nëse jo, ne do të ndjekim rrugët ligjore për t’u ankuar në Gjykatën Supreme”, tha ai.

Këtë qëndrim, Haradinaj e shprehu gjatë vizitës në ndërmarrjen “Higjiena” në Deçan, ku tha se kjo e fundit është duke bërë një punë të jashtëzakonshme për një Deçan të pastër.

“Po e shohim një organizim të jashtëzakonshëm për Deçanin e pastër. Drejtori na informoi për punën që e bojnë, të them të drejtën është një gëzim me pa një organizim të tillë që dëshmon cilësi të nalt të punëve që i kryen. Jam mirënjohës, jo veç unë po gjithë qytetarët e Deçanit”, tha ai.

Haradinaj gjatë së martës ka qëndruar në vendlindjen e tij në Deçan, ku takoi edhe veteranët e UÇK-së nga kjo anë dhe mori pjesë në promovimin e një libri që flet për historinë ndër vite të Deçanit.