Haradinaj – Kurtit: Rrotullove kamionë, organizove protesta të përgjakshme ku njerëzit humbën jetën, pse po dorëzohesh?

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Daut Haradinaj, në seancën e jashtëzakonshme për taksën, i ka bërë thirrje Kurtit të mos ‘dorëzohet përballë presioneve’.

Ai ka thënë se Kurti ndër vite bëri fushatë për bojkotim të produkteve serbe ndërkaq që sot, sipas tij po shkel mbi të gjitha premtimet e dhëna.

“Me vendosjen e taksës Kosova tregoi se ka zot shpie. Kosova nuk po trajtohej më me fusnote por si aleat nga partnerët tanë. Presioni për taksën, nuk i luhati institucionet tona, por i bëri më të fuqishme. Kosova nuk do të duhej të dorëzohej përballë Serbisë, sidomos me pretendimet e veta të pangopura për territor. Mbaj mend kryeministrin Kurti dhe kauzën e tij politike, rrotullime kamionësh, protesta të përgjakshme, humbje jetësh, saktësisht kundër barkodit të Serbisë 860. Kujtojmë bojkoto 860, Serbia nuk kalon, gaz e Molotov. Të gjitha këto veprime i dhanë mbështetje popullore Kurtit. Kjo ideologji nuk shkoi gat’. Kryeministri u dorëzua Akoma pa i ardhë presioni i madh. Ai shkeli mbi cdo prodhues vendor, mbi cdo kod etik që proklamonte ndër vite”, ka thënë Haradinaj.