Haradinaj në gjykatë tregon si u arrestua dhe udhëtimin në Hagë me hetuesit e Speciales

Ish-nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj ka rrëfyer kohën e arrestimit e cila kishte ndodhur në shtator të vitit 2020. Edhe njëherë ai ka shprehur qëndrimin e tij kundër punës së Zyrës së prokurorit të Specializuar për të cilën ka thënë që po merr për dëshmitarë kriminelët serbë.

Para Dhomave të Specializuara në Hagë, Haradinaj ka thënë se forcat e EULEX-it e kishte përcjellur deri pranë ndërtesës së një televizioni në Prishtinë në të cilin ai po shkonte për të dhënë intervistë, ku edhe u arrestua.

Në ditën e dytë të dëshmisë së tij, Haradinaj ka thënë se derisa policia e EULEX-it, ka tentuar ta arrestojë atë, ai ka këmbëngulur që kjo duhet të bëhet vetëm nga Policia e Kosovës.

“Kanë dalë ata dhe i kam pa përpara më kanë thënë ndalu policia, jam ndalë dhe njëri më ka dalë para më kanë thënë je i arrestuar, anglisht, i kam thënë pse, tjetri prapa më ka bërtit në gjuhën suedeze më ka thënë mos luaj, e kam parë atë përpara që është Muberg dhe aty pastaj kam filluar me pyet për çka, ai është munduar me nxjerr një letër me lexu, i thash unë dua me qenë Policia e Kosovës nëse jam i arrestuar”, ka thënë ai.

Nga vendi i arrestimi që kishte ndodhur në lagjen “Pejton”, në Prishtinë, Haradinaj ka thënë se është dërguar në selinë e EULEX-it në Fushë Kosovë, ku i është thënë se menjëherë do të transferohet për në Hagë.

Megjithatë, më pas Haradinaj ka treguar se e kanë lajmëruar udhëtimi nuk mund të bëhet deri ditën e nesërme.

Në ditën e dytë të dëshmisë së tij, Haradinaj ka thënë se fletë arrestin ndaj tij nuk e ka parë as në momentin e arrestimit e as gjatë qëndrimit në qendrën e EULEX-it.

“Kur kam dalë aty prej kerrit më ka thënë: ‘tash je këtu te ne’. I kam thënë, në rregull. Këtu tha tani duhet me t’i vendosë prangat. Unë nuk kam pas pranga. Në oborr nja 20 metra deri kam hy mi kanë vendosur prangat deri kam hy brenda në objekt, por i kam thënë nuk ka problem. Policia jonë janë përshëndet. Krejt në rregull. Sjelljet kanë qenë të mira. Fletarresti, në fakt atë që ka dashur me lexu nuk ma ka lexu dhe unë kurrë nuk e kam parë deri më ka ardhur si dokument këtu në burg kur kam ardh. Më vonë pasi kam dalë në gjyq, për herë të parë”, ka thënë ai.

Pas një natë qëndrimi në qeli, Haradinaj ishte nisur për në qendrën e paraburgimit në Hagë, nën përcjelljen tani vetëm të hetuesve të Speciales, derisa Policia e Kosovës kishte qenë pjesë e operacionit vetëm gjatë arrestimit të tij në Prishtinë.

“Në ora 11 deri në 12 e di që më kanë dërguar të një pjesë tjetër të Aeroportit të Prishtinës, më kanë dërguar të një si kontejner. Aty ma kanë bë një kontroll mjekësore dhe aty më kanë thënë se tash je në duart e punëtorëve të kësaj gjykate dhe përdorin të tjera pranga. Ndërsa aty mi kanë heq ato pranga dhe ma kanë vendosur rripin me gjithë pranga tjetër lloj. Ma ka bërë kontrollin mjeku dhe jemi nisë. Më kanë thënë që nuk kemi përkthyes, për çdo gjë do të shoqërojë njëri prej këtyre oficerëve që e di suedishten dhe më ka shoqëruar oficeri që e di suedishten. Ky tjetri dhe jo Moberg, ky i dyti që më tha atje suedisht, mos lëviz”, ka thënë Haradinaj.

Para trupit gjykues, Haradinaj ka thënë se nuk e ka kërcënuar asnjë dëshmitarë apo dikë tjetër gjatë jetës së tij.

“Prokuroria shpesh fjalët po i spekulon, ose duhet me panu që nuk dinë dhe po referohet kësaj. Spiunët e dimë krejt bota se kush janë, spiunët janë bashkëpunëtorët e regjimit komunist në atë kohë që më kanë përcjellë dhe që vazhdojnë fatkeqësisht ende të jenë në krye të qeverisë sime, nuk ka të bëjë me spiunë të këtyre. Bashkëpunëtorët janë ata të cilët edhe gjatë kohës së luftës, fatkeqësisht edhe shqiptarët që unë po lypi që dhe ta kjo prokurori t’i hetojë, kanë kryer krime së bashku me forcat serbe… (përmbajtje e redaktuar)”, ka thënë ai.