Tha se do të rrijë në opozitë nëse s’e merr presidentin, LDK’ja merr një goditje nga Kusari-Lila

Deputetja e zgjedhur e Kuvendit të Kosovës nga lista e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka folur për bisedimet mes VV’së dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, në përpjekje për arritjen e një marrëveshjeje për bashkëqeverisjen e vendit.

Ajo ka komentuar këmbënguljen e LDK’së për ta marrë postin e presidentit, që po e pengon arritjen e një marrëveshjeje mes dy partive.

Kusari-Lila ka thënë në emisionin “DPT Te Fidani”, në televizionin T7, se LDK’ja nuk mund të kërkojë postin e presidentit, pse Vetëvendosje e merr kryeministrin, sepse ky i fundit është fituar nga zgjedhjet.

“Nuk mund të thuash që ne po ua besojmë kryeministrin, ju presidentin s’po na e besoni. Nuk ka besim. Megjithatë, zgjedhjet i kemi mbajtur, diskutimi i presidentit është i natyrshëm’’, ka thënë ajo.

Kusari-Lila e ka quajtur të pamoralshme deklaratën nga LDK’ja se shkojnë në opozitë nëse s’ka marrëveshje me VV’në për presidentin.

“Nuk është e drejtë morale, dhe diçka që i takon një partie që thotë po shkoj në opozitë. Janë gabime në hapa”, ka vlerësuar ajo.