Haradinaj në rastin “Veteranët”: Kam kërkuar 100 mijë uniforma vetëm për zonën e Dukagjinit

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, të mërkurën, është paraqitur në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Ai në cilësinë e ish-Komandantit të UÇK-së në Zonën e Dukagjinit, ka dëshmuar në gjykimin e rastit të njohur si ”Veteranët”, njofton Klan Kosova.

Gjatë seancës ai ka pasur pyetje nga Arianit Koci, avokat i të akuzuarit Shkumbin Demalijaj:

”Në qershor të ’98-ës, keni bërë kërkesë për 100 mijë uniforma dhe një sasi të madhe të armatimit. A ka qenë kërkesë për zonën e juaj apo për krejt Kosovën?”.

Ndërsa Ramush Haradinaj është përgjigjur:

”Po i kemi bërë kërkesë për 100 mijë uniforma për Zonën e Dukagjinit. Pjestarët e logjistikës konsiderohen veteranë, pjestarët e shtabeve janë veteranë”.

Ai tutje ka thënë se e ka kundërshtuar kategorizimin e ushtarëve të UÇK-së.

”Në realitet nuk ekziston kategorizimi. Me rastin e marrjes se armës në luftë për liri nuk mundesh me dallu më kolegun tjetër në secilën etapë tjetër”.

Ndërsa i pyetur nga prokurori se ”Në cilën kategori hyn logjistika në ligjet në fuqi?”, ish-komandanti i Zonës së Dukagjinit ka thënë se nuk i ka shikuar listat që i ka nënshkruar pasi i ka besuar zinxhirit komandues.