Haradinaj për Qeverinë Kurti: E dëmtoi sektorin e arsimit me mbi 31 milionë euro

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kritikuar qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti, duke thënë se kjo qeveri ka dëmtuar policët, shërbyesit civil, personelin shëndetësor, por edhe sektorin e arsimit.

Kryetari i AAK-së ka veçuar sektorin e arsimit si sektor, që sipas Haradinajt, është dëmtuar më së shumti.

“Mësimdhënësit, edukatorët, pedagogët, bibliotekistët, administrata e udhëheqja e sektorit arsimor, janë goditur rëndë nga Kurti, e vlera e dëmit të shkaktuar është mbi 31 milionë euro”, ka shtuar Haradinaj.

Ai ka folur edhe për dëmet në sektorët tjera, të cilat janë shkaktuar si pasojë e neglizhencës së qeverisë.

“Më herët kemi paraqitur dëmin e shkaktuar ndaj policëve, shërbyesve civil dhe personelit shëndetësor, për shkak të neglizhencës së qeverisë”, ka thënë Haradinaj.

Sipas tij, është i domosdoshëm aprovimi i Ligjit të Pagave.

“Aprovimi i Ligjit të Pagave, është domosdoshmëri”, ka përfunduar Haradinaj.