Haradinaj përgënjeshtron partnerët e koalicionit, thotë se kanë qenë në dijeni për takimin e Berlinit

Një takim sekret është mbajtur të mërkurën në mbrëmje në Berlin për të diskutuar rreth mundësisë së vazhdimit të dialogut.

Kryeministri Ramush Haradinaj e sheh shumë legjitim takimin sekret në Berlin, me përfaqësues ambasadorin Avni Arifin dhe këshilltarin e tij, Selim Selimi, të cilët u ballafaquan me Marko Gjuriqin nga Serbia.

Haradinaj thotë se takimi s’kishte qenë sekret dhe se kishte informuar partnerët e koalicionit, ani pse këta të fundit dje thanë se s’kanë ditur asgjë për takimin në fjalë.

Haradinaj sqaron se nuk ishte temë Asociacioni me kompetenca ekzekutive, siç u raportua dje.

“Edhe takimi i Berlinit, ballafaqimi i delegacionit teknik e ka konfirmu se ka mbet pa u zgjIdh njohja reciprkOe e kufijve ekzistues. Kur të jenë të gatshëm palët, edhe ne futemi në dialog. Deri atëherë mund të ketë pritje. Është sqaru se cka mundet me qenë një zgjidhje, opcioni i vetëm që ka mbetë për marrëveshje është njohja reciproke. Por Serbia ende nuk është e gatshme. Takimi është formal, nuk është publik, i rregullt. Delegacionet e dy palëve janë taku. Nikoqir ishte zyra e Merkelit. I kam informu partnerët e koalicionit qeverisës. E kanë ditë. S’ka qenë temë Asociacioni fare. Hartimi i marrëveshjes po, por jo Asociacioni. Temat i dijmë. Ekzistojnë dy versione për shkallën e zbatimit. Serbia ankohet për mos zbatim. Relevanca e këtij takimi të dialogut teknik ishte me njerëz të mandatum. Arifi ka qenë i mandatum për dialogun teknik. Informu i kam që të gjithë. Është vlerësim i tyre se si deklarohen në publik”, ka thënë Haradinaj.