Haradinaj përkujton të rënët e Gllogjanit e Irzniqit

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka bërë sot homazhe në varrezat e heronjve e dëshmorëve në Gllogjan dhe Irzniq të Deçanit.

Haradinaj në një status në rrjetin social Facebook ka kujtuar të rënët, duke theksuar se u përulëm me nderim për jetën dhe heroizmin e tyre, duke qenë përgjithmonë mirënjohës.

“11 gushti i vitit 1998, ngjallë kujtimin për qëndresën titanike të djemve të Dukagjinit në betejat heroike për mbrojtjen e pozicioneve të luftës. Në ofensivën e ashpër, mbizotëroi vullneti për liri, deri në vetëflijim. Të përhershëm në kujtimin e brezave, Enver Halilaj, Naim Nimanaj, Orhan Halilaj, Halil Sejfijaj e Arben Ahmetaj nga Gllogjani, Arton Hasanaj nga Rakoci, komandant Maxhun Çekaj, Gëzim Dervishaj, Halil Berisha e Malë Zejnaj nga Irzniqi, Nexhat Humaj nga Baballoqi, Naser Idrizaj nga Kodralia, Hasan Osmani nga Nivokazi dhe Agron Thaqi nga Skivjani”.

“Sot në Gllogjan dhe Irzniq, u përulëm me nderim për jetën dhe heroizmin e tyre, duke qenë përgjithmonë mirënjohës”, ka shkruar Haradinaj.