Haradinaj: Pse pas dy aksioneve policore në veri, Kosova u kthye më e dobët në vendosjen e rendit dhe ligjit?

Ish-kryeministri i Kosovës dhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka folur në seancën e Kuvendit të Kosovës ku pritet të shqyrtohen një varg të pikave të rendit të ditës. Në pjesën e deklarimeve jashtë rendit të ditës, Haradinaj ka kërkuar llogari për rezultatin e aksioneve policore të Kosovës në veri.

Haradinaj ka thënë se pas dy operacioneve të policisë së Kosovës në veri të vendit ka ndodhur përkeqësim i rendit dhe ligjit. Ai tha se në herën e parë policia janë mbajtur peng e në herën e dytë situata mbeti në dorë të kriminelëve, shkruan lajmi.net.

“Pas të dyja këtyre operacioneve ka ndodhur përkeqësimi i rendit dhe ligjit e sigurisë. Besoj se të gjithë ata që janë të fushës mund ta jepin këtë vlerësim, pra pas dy herave që ka operuar Kosova në veri me polici të vet dy herë kemi dalë më të dobët, herën e parë policia është mbajtur peng në pikat kufitare dhe njëkohësisht herën e dytë ka mbetur në dorë të kriminelëve.”, tha Haradinaj.

Ai ka kërkuar llogari nga qeveria e Kosovës lidhur me këtë situatë, duke shtuar se pse po ndodh që po dobësohet autoriteti i shtetit ligjor në veri dhe policia të mbahet peng i grupeve kriminale.

“Ata që merren me rendin dhe ligjin e dijnë se Kosova është më e dobet nga këto dy aksione. Dua të di pse po dobësohet autoriteti i rendit dhe ligjit dhe shteti ligjor në veri, pse duhet të dobësohet autoriteti i shtetit ligjor, pse policia jonë duhet më u mbajt peng nga grupet kriminale, pse duhet me u marrë vesh me ta për me u tërhek. Vetëm dy vite më herët policisë tonë s’ka guxuar askush t’i dalë në rrugë.”, tha Haradinaj.

Në fund ai ka thënë se kjo nuk ka të bëjë me zgjedhje, por ka të bëjë me tërësinë territoriale dhe shtetin ligjor.