Haradinaj shkruan deklaratë në Hagë, tregon se çka kishte në dosjet që shkuan në OVL-UÇK

Është publikuar deklarata e Nasim Haradinajt si dëshmitar për rastin e publikimit të dosjeve që kishin arritur në OVL-UÇK, e shpërndarja e të cilave më pas u bë arsye për arrestimin e tij dhe të Hysni Gucatit.

Në një deklaratë të shkruar, Haradinaj thotë se në dërgesën e dytë, të njohur si “Rrufeja 2” kishte komunikime me autoritetet serbe dhe të njëjtat kishin emrin e Kryeprokurorit të mëhershëm të Task Forcës së Speciales, Clint Williamson.

“Këto letra përmbanin dokumente me emrin e Kryeprokurorit të atëhershëm Clint Williamson. Kishte edhe shumë komunikime me autoritetet serbe. Si dhe koordinatorin [REDAKTUAR] dhe Vladimir Vuçkoviq,. Kishte edhe letra falënderimi për bashkëpunimin ndihmues. Ne kaluam shkarazi nëpër dokumente dukeshin te se njëjtës natyre dhe kështu nuk u kushtuam shumë vëmendje”, ka thënë Haradinaj në deklaratën e tij.

Tutje, ai thotë se grupi i tretë i dokumenteve përmbante një draft të aktakuzës kundër Thaçit dhe të tjerëve.

“Besoj se grupi i tretë i dokumenteve përmbante një draft të aktakuzës kundër Hashim Thaçit që ishte afërsisht 100-120 faqe. Në qershor të vitit 2020, Prokurori Special, Jack Smith, kishte njoftuar publikisht se ishte ngritur një aktakuzë kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe të tjerëve, andaj kështu kishim dëgjuar se ekzistonte një aktakuzë para këtij zbulimi, dhe tani e pamë këtë të evidentuar në letër. Këto informata ishin bërë publike në verën e vitit 2020. Personi i kishte dorëzuar 3 kopje. Gazetarët i morën këto kopje. Këto dokumente ishin vetëm në anglisht”, thuhet tutje në deklaratën e Haradinajt.

Ndër të tjera, Haradinaj ka folur edhe për çështje të tjera që nuk ndërlidhen me gjykimin ndaj tij.

Ai ka përmendur mohimin nga Serbia ndaj masakrës së Reçakut, duke hedhur pikëpyetjen se si mund të bashkëpunohet me një shtet që mohon gjenocidin.

“Shqetësimi im i dytë rreth DHS është bashkëpunimi vetëm me Serbinë dhe atë konkretisht me vet ekzekutorët e krimit. Nuk do të kisha asnjë kundërshtim për bashkëpunimin me Serbinë nëse Serbia do te ishte tjetër nga ajo që është sot. Theksoj se Serbia edhe sot e kësaj dite nuk është distancuar nga politikat antishqiptare qe kishte Milosheviqi. Edhe sot e kësaj dite, politika dhe qeveria serbe mohojnë krimet dhe masakrat që tashmë janë të njohura në mbarë botën – bile mohojnë edhe ekzistencën e Kosovës si shtet i pavarur e sovran. Kujtoj se fundmi mohimin e Masakrës se Reçakut, e cila masakër është denoncuar publikisht nga vetë Ambasadori Ë. Ëalker. Si mund te ketë bashkëpunim me Serbinë pra?”, ka thënë ai.

Haradinaj në deklaratën e tij ka rrëfyer edhe për kohën kur Organizata e Veteranëve të Luftës  kundërshtonte formimin e Speciales në formën siç është, duke kërkuar që e njëjta të gjykonte krimet e luftës të kryera edhe nga etnitë tjerë.

KËTU mund të gjeni deklaratën e plotë të thënë nga Haradinaj: