Haradinaj: Sot do ta votoja zhbërjen e Gjykatës Speciale

Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, ka thënë se Gjykata Speciale është raciste sepse i gjykon vetëm shqiptarët, duke i injoruar krimet që Serbia i ka kryer në Kosovë.

Ai në Rubikon ka theksuar se nëse dikush do të merrte iniciativë për zhbërje të Speciales, ai është i gatshëm të votoj pro.

“Kam qenë kundër dhe vazhdoj të jem kundër Gjykatës Speciale sepse është gjykatë raciste, ajo gjykon vetëm shqiptarët, kur ne e dimë se ata janë viktime në Kosovë. Kur të gjithë e dinë çka ka bërë Millosheviqi – pardje e kujtuam Srebrenicën, e mos të flasim për masakrat në Kosovë, ende askush nuk është përgjigjur, por mendoj se ka qenë gabim edhe i atyre që ia kanë dhënë besimin kësaj gjykate në atë kohë”, është shprehur Haradinaj.

“Kurdo që dikush merr iniciativë dhe krijon shumicë mua më ka në ‘stand by’, të gatshëm të votoj kundër kësaj gjykate. Sonte nga këtu mund të shkoj në sallë, direkt pa asnjë fije problemi, kam qenë kundër dhe jam kundër kësaj gjykate sepse është gjykatë raciste”.

Ai ka shtuar se do ta kishte përkrahur këtë gjykatë nëse do të ishin trajtuar edhe krimet që Serbia i ka kryer ndaj shqiptarëve.

“12 mijë e 600 viktima shqiptare, kurrë askush drejtësi nuk po kërkon, kriminelët që i kanë bërë këto krime, mos të flasim për 20 mijë femra të dhunuara shqiptare, këtu askush nuk përgjigjet. Ne duhet të jemi të vetëdijshëm, përderisa ne i mbyllim sytë nga e kaluara dhe shohim vetëm nga e ardhmja, mund edhe të na përsëritet”.

“Prandaj kjo është gjykatë raciste, kërkon drejtësi selektive, nuk kërkon drejtësi për krimet serbe që kanë ndodhur në Kosovë, sepse po të ishte për të dyja palët unë do ta kisha votuar për. Nuk ka ndodhur në historinë e njerëzimit që ka pasur një gjykatë një paleshe. Ne jemi trajtuar sikur ne kemi bërë agresion kundër Serbisë, kur dihet se Serbia ka kryer krime në Kosovë”.