Haradinaj sulmon Kurtin: Na turpërove para SHBA-ve

Ish-kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka shpërndarë një fotografi të datës së 30 janar, ku ka treguar se ka qenë në takim me grupet punuese të Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës dhe atë të Transportit Rrugor.

Haradinaj ka sulmuar kryeministrin e tanishëm të Kosovës, Albin Kurtin, duke thënë se të njejtën gjë është dashur ta bëj edhe ai.

“Të nderuar qytetarë si Kryeministër i vendit, dy javë më herët kam ftuar në takim grupet punuese të Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës dhe atë të Transportit Rrugor, respektivisht zyrtarët e Ministrisë Z. Xhemajli, dhe Z. Qupevaj, për t’u informuar rreth letrës së qëllimit për hekurudhat me Serbinë, e që është ndërmjetësuar nga Ambasadori Grenell. Kam kërkuar nga ata, që të jenë vigjilent dhe mos të negociojnë e as të diskutojnë asgjë që bie ndesh me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.

Haradinaj ka thënë se Kurti është dashur të informohet për ecurinë e këtij procesi që të mos e turpëroj vendin dhe të dëshpëroj SHBA-të.

“Këtë gjë, është dashur ta bëjë edhe Kryeministri Kurti, në mënyrë që mos ta turpërojë vendin dhe institucionet duke thënë se nuk ka qenë i informuar. Kjo deklaratë, dëshpron edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke dhënë indikacione se nuk jemi unik ndaj përkrahjes së tyre”, ka thënë ai.