Haradinaj tha se Kurti është një mashtrues i mirë, lideri i VV-së i jep përgjigje interesante

Ramush Haradinaj ka vënë në dyshim sinqeritetin e kreut të Vetëvendosjes për iniciativat e këtij të fundit, duke e quajtur mashtrues, ndërsa Kurti i është përgjigjur duke thënë se i është ngatërruar gjuha – ka dashur të thotë që Albinin nuk mund ta mashtrosh.

“Albini është një mashtrues i mirë. Teorikisht i thotë gjërat më mirë se sa që i bën në praktikë – kjo është bindja ime”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka thënë se personalisht nuk është mashtruar nga Kurti, por sipas tij rrëfimet e ish-bashkëpunëtorëve të tij mund t’i besojë.

Dhe lidhur me këtë vlerësim të Haradinajt, Kurti, gjatë një interviste për RTV Ora, përcjell Telegrafi, ka thënë: “Atij besoj i janë ngatërruar fjalët, i është ngatërruar gjuha, ka dashur të thotë që Albinin nuk mund ta mashtrosh”.

Ndryshe, gjatë një interviste me gazetaren Sonila Meço, Kurti ka thënë se pret i qetë deri në shpalljen e rezultatit zgjedhor por ka këtë bindje: “Do të jemi me siguri të parët, do të na nevojitet edhe dikush për partner”.