Haradinaj: Tribunali Ndërkombëtar për Serbinë, i paarritshëm dhe jo serioz

Ideja për themelimin e Tribunalit Ndërkombëtar për krimet që Serbia ka kryer gjatë luftës në Kosovë po shihet si diçka e pa arritshme dhe aspak serioze nga nënkryetari i OVL-UÇK, Nasim Haradinaj.

Në një intervistë për portalin arbresh.info Haradinaj ka thënë se themelimi i një tribunali të tillë nuk është aspak bindës sepse një gjë e tillë nuk varet nga Kosova.

Për themelimin e një Tribunali Ndërkombëtar për krime serbe në Kosovë duhet që Kosova t’i ketë votat në OKB, gjë që nuk i ka.

“Sado që duket serioze për mu nuk është sepse nuk do të varet nga ne. E vetmja shancë qe ndoshta do të kishte ndikim është nëse këta do t’i kishin ngul këmbë që mos me pranu gjykatën një etnike jo racionale dhe shumë e padrejtë ndaj nesh. Kjo më tepë është duke u bërë sa me la sy e faqe kishe po bëjmë diçka”.

“Është mirë iniciativa, por sa është reale me u aprovua kjo nuk varet nga ne, atëherë unë mendoj se kjo do të ketë efekt si gjykatë brenda Kosovës kur ne të hymë në Interpol dhe në Evropë”, tha ai.

Haradinaj në intervistë tha se zbardhja e krimeve të luftës nga serbët në Kosovë është neglizhencë e vetë popullit dhe familjarëve të cilët që 20 vjet pas luftës nuk kanë mbledhur fakte dhe nuk kanë bërë asgjë.

“Mendoj qe është neglizhencë e vet popullit dhe familjarëve që mendojnë se jau zgjidh çështjen dikush. Është dashtë që çdo komunë me i mbledh te dhënat se kush ka bërë krime, p.sh Deçani e din se kush ka bërë krime, Gjakova e din se kush ka bërë krime, fshatrat e dinë përafërsisht dhe të pritet dhe të vajtohet 20 vjet për të vrarët tanë e nuk është bërë asgjë, mendoj se kjo është një marre që duhet ta mbajnë edhe politikanët dhe udhëheqësit e komunave e te gjithë ne”.

Haradinaj ka thënë se Serbia nuk ka bërë krim në Kosovë por ka kryer gjenocid mbi popullin e Kosovës. Ai madje thotë se shqiptarët ende nuk e dinë a janë kryer krimet në Kosovë derisa e tërë bota e din.

“Krejt bota e din që janë bërë krimet në Kosovë vetëm ne shqiptarët nuk e dim a janë bërë apo jo dhe çka o ma e keqja ne mendojmë qe fjala krim është shumë e rëndë. Në Kosovë nuk është bërë krim është bërë gjenocid dhe hala 20 vjet me von askush nuk e ka ngrit zërin për këtë çështje”.

“Serbia do te jetë e kënaqur që vetëm të tlirohet nga gjenocidi. Serbia ka bërë gjenocid në popullin e Kosovës dhe në botë që nga lufta e dytë botërore janë themeluar tribunalet për gjenocid”.

Kujtojmë se Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ditë më parë ka nisur edhe formalisht procedurat për iniciativën për formimin e Tribunalit Ndërkombëtar për krimet që Serbia ka kryer gjatë luftës në Kosovë.