Haradinaj uron 16 Qershorin, Ditën e Çlirimit të Pejës, Deçanit e Malishevës

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka uruar sot Pejën, Deçanin e Malishevën për Ditën e Çlirimit.

Haradinaj ka shkruar se lufta e UÇK-së i dha fund një epoke të errët, që shkaktoi shumë tragjedi e vuajtje. Ai ka kujtuar luftëtarët e brigadave që kanë luftuar në këto anë, duke thënë se një pjesë të tyre i kishte njohur që nga filli i rezistencës së armatosur.

“Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i dha fund një epoke të errët, që shkaktoi shumë tragjedi e vuajtje. Peja, Deçani e Malisheva sot shënojnë Ditën e Çlirimit, duke kujtuar guximin dhe sakrificën e luftëtarëve të lirisë, të brigadës 131 ‘Jusuf Gërvalla’, 133 ‘Adrian Krasniqi’, 135 ‘Agim Zeneli’, 136 ‘Rugova’, 121 ‘Kumanova’ e 122 ‘Imer Krasniqi’. Një pjesë të tyre i njoha që nga filli i rezistencës së armatosur e u ndanë nga ne duke fituar përjetësinë”, ka shkruar ai.

Kryetari Haradinaj ka falënderuar miqtë e Kosovës, SHBA-në e NATO-n, për pozicionimin e tyre në favor të popullit të Kosovës në vitin 1999.

“Falënderues edhe për miqtë e ditëve të rënda, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Aleancën Veri-Atlantike, që u pozicionuan dhe u bënë aleatë me një popull që kanosej nga shfarosja”, ka shkruar ai.

“Pejë, Deçan e Malishevë, urime Dita e Çlirimit!”, ka shkruar në fund Haradinaj.