Hasani: Besoj se vrasja e Azem Hajdarit ka lidhje me lëvizjet në veri dhe armatimin në Kosovë

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, profesori dhe veprimtari i njohur, Enver Hasani ka qenë i ftuari i radhës në emisionin “FAKTE me Adnan MEROVCIN” në Klan Kosova, ku ndër tjera foli edhe për disa figura kyçe të historisë e politikës në trojet shqiptare.

Në mesin e politikanëve, Hasani foli edhe për ish-presidentin e Shqipërisë, Sali Berisha si dhe marrëdhëniet e tij me presidentin Rugova.

“Deri në zgjedhjet e majit të 1996-tes, Sali Berisha as nuk ka mundur të paraqes paternalizëm dhe as nuk është dukur si i tillë as në Tiranë, as jashtë, sepse prezenca e Rugovës dhe sjellja e tij në raport me Shqipëri ka qenë shumë superiore. Berishës iu krijuan probleme të brendshme që filluan me piramidat, kishte probleme edhe me grekë, nuk i dëgjonte. Dhe ajo më pas ishte faza që ia acaroi pozitën me amerikanët, ajo ka çmim. Nuk mundet me u pa vetëm si 1996”, u shpreh ai.

Hasani gjithashtu komentoi pak edhe martirin e demokracisë në Shqipëri, Azem Hajdarin, e për të cilin u shpreh se e beson që u ekzekutua për shkak të lidhjeve të tij me Kosovën.

“Azemin e kam takuar pak, por unë mendoj që është tragjike vrasja e tij dhe rrethanat e vrasjes. Unë besoj rrethanat atëherë kur është vra në shtatorin e 1998, janë të njëjtat që atëherë i kam besu, dhe lidhen me lëvizjet në veri, lidhet me Kosovë, armatimin, me luftën në Kosovë, atëherë e kam besu dhe sot e besoj. Ai ka qenë një patriot pa asnjë diskutim. Për proceset demokratike ka qenë i domosdoshëm sepse doktorit Berisha, Saliut ia ka pastruar terrenin, e ka njohtë atë botë tjetër të cilën doktori se ka njohtë”.