Hasani: Me Gjykatën Speciale të merren ata që e financojnë, po shkel të drejtat e njeriut

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, ka thënë se Kosova duhet të kërkojë nga ata që e financojnë dhe e mirëmbajnë Gjykatën Speciale, për ta shtyrë që ta kryej punën e saj në kohë më të shpejtë.

Në T7, Hasani ka thënë se zvarritja e proceseve gjyqësore nga Specialja, është shkelje brutale e të drejtave të njeriut.

“A është kjo gjykatë një “never ending story”?”, ka pyetur ai.

“Kryje punën. S’të kemi votu për përgjithmonë”, ka theksuar ai.

Hasani ka thënë se Kosova nuk ka çfarë të bëj shumë, pasi që themelimi i kësaj gjykate, bazën e ka në amandament kushtetues. Sipas tij, ata që e financojnë e që janë në BE dhe SHBA, mund të ndikojnë.

“Po punohet me cenzurë, me aktakuzë të cenzurime, nuk zbulohen provat, nuk guxon me ia fshehë provat. Por zvarritja vazhdon prej 2010, jemi peng. Është serioz kjo punë. Kosova nuk ka cka të bëj. Bazën e ka me amandament kushtetues, vetëm ata që e financojnë dhe mirëmbajnë munden me kërku llogaridhënie”, ka thënë Hasani.

Hasani ka theksuar se kjo gjykatë është duke penguar shumë edhe përpjekjet e Kosovës për integrim.