Hashim Thaçit i aprovohet kërkesa për vizitë në Kosovë të babait të sëmurë

Ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i është aprovuar një vizitë familjare në Kosovë.

Siç merr vesh Gazeta Online Reporteri.net, Thaçit i cili po mbahet në paraburgim në Hagë i është aprovuar ardhja në Kosovë nga ana e Dhomave të Specializuara për të vizituar babain e sëmurë.

Babai i tij, në moshë të shtyrë, prej kohësh është i sëmurë. Para pak ditësh, për shkak të rëndimit të gjendjes së tij shëndetësore, është trajtuar edhe në spital.

Ish presidentit Thaçi një vizitë e tillë i ishte aprovuar edhe në maj të këtij viti për shkak të siç ishte cekur nga trupi gjykues “arsyeve bindëse humanitare”.

Atë kohë Thaçi kishte qëndruar vetëm disa orë në Kosovë për të vizituar nënën e cila kishte probleme shëndetësore.

Kujtojmë se, gjatë muajit prill ka filluar gjykimi në Hagë ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputetit Rexhep Selimi.

Ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ai ndodhet në paraburgim që nga nëntori 2020. Thaçi është deklaruar i pafajshëm për të gjitha akuzat që rëndojnë mbi të.