Materialet për arrest shtëpiak: Pranohet kërkesa e Thaçit për shtyrjen e afatit për rishikimin e paraburgimit

Gjykatësi i Procedurës Paraprake, Nicollas Guillou, ia ka pranuar kërkesën ish-presidentit Thaçi për shtyrjen e afatit për rishikimin e paraburgimit.

Kërkesa e mëhershme e Thaçit, për të cilën raportoi lajmi.net kishte të bënte me shtyrjen e afatit për dërgimin e parashtresave që shërbejnë si materiale dhe argumente për marrjen e një vendimi nga gjyqtari, shkruan lajmi.net.

Kërkesa e mbrojtjes së Thaçit bazohej në argumentet se mbrojtja është duke mbledhur materiale të rëndësishme që ndërlidhen me arrestin shtëpiak të ish-presidentit.

E kjo kërkesë është pranuar nga gjykatësi Guillou.

“Pas shqyrtimit të arsyeve të parashtruara nga Mbrojtja, në veçanti që kërkon kohë të mëtejshme për mbledhjen e dokumenteve në mbështetje të parashtresave të saj për rishikimin e paraburgimit të z. Thaçi, gjyqtari i procedurës paraprake konstaton se është treguar shkak i mirë, duke garantuar zgjatjen e kërkuar të kohës. Në lidhje me këtë, gjyqtari i procedurës paraprake thekson më tej se z. Thaçi ka hequr dorë nga e drejta e tij për rishikimin e paraburgimit para skadimit të afatit kohor prej dy muajsh të përcaktuar në nenin 41(10) të Ligjit dhe rregullin 57(2) të Rregullores. . Gjyqtari i procedurës paraprake gjithashtu konstaton se kërkesa është dorëzuar mjaftueshëm përpara skadimit të afatit në fjalë”, thuhet në vendimin e gjyqtarit francez.

Guillou po ashtu ka thënë se vendimi në fjalë nuk përbën ndonjë dëm ndaj Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

“Duke pasur parasysh zgjatjen e kufizuar të afatit, gjyqtari i procedurës paraprake konsideron se nuk i është shkaktuar asnjë paragjykim ZPS-së në nxjerrjen e këtij vendimi përpara marrjes së përgjigjes ndaj kërkesës”, ka thënë Guillou.

Kujtojmë se avokati i Thaçit, Gregory Keohe ka theksuar se materiali në fjalë që synohet të mblidhet do të jetë shumë i rëndësishëm për Gjyqtarin Paraprak në marrjen e vendimit të rishqyrtimit të paraburgimit.

“Ekziston një arsye e mirë për zgjatjen e kërkuar. Në dritën e gjetjeve të Dhomës së Apelit, Mbrojtja kërkon kohë të mëtejshme për të mbledhur dokumente në mbështetje të lirimit të përkohshëm të z. Thaçi, veçanërisht në lidhje me fizibilitetin e arrestit shtëpiak. Një material i tillë do t’i ndihmonte gjyqtarit të procedurës paraprake në shqyrtimin e paraburgimit të z. Thaçi”, thuhet në parashtresën e avokatit Keohe.

E për t’u marrë parasysh kërkesa në fjalë, në bazë të ligjit, Thaçi duhet të heq dorë nga e drejta e rishikimit të paraburgimit çdo dy muaj, që është bazë fundamentale e funksionimit të Tribunalit.

Keohe në pikën e fundit të parashtresës ka konfirmuar se Thaçi e ka bërë një gjë të tillë, në atë formë që të shtyhet afati për dërgimin e parashtresave.

“Marrja parasysh e zgjatjes së kërkuar kërkon heqjen dorë nga e drejta e z. Thaçi për rishikimin e paraburgimit në baza dy mujore, në përputhje me nenin 41(10) të Ligjit Nr.05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Prokurorinë e Specializuar dhe Rregulla 57(2) e Rregullores, Mbrojtja konfirmon se, në mënyrë të jashtëzakonshme, z. Thaçi heq dorë nga e drejta për rishikimin e paraburgimit”, ka konfirmuar Keohe.

Me vendimin në fjalë të gjyqtarit paraprak, afati për dërgimin e parashtresave shtyhet nga 8 nëntori, deri më 16 nëntor.