Haxhi Avdyli e quan absurd dhe të pa dëgjuar vendimin e KQZ-së për diasporën

Ka reaguar edhe deputeti i LDK-së, i cili i është bashkuar listës së Vjosa Osmanit, Haxhi Avdyli, idhur me vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, se nuk do të lejohen të votojnë mërgimtarët me post, në rast se nuk lajmërohen në telefon.

“Vendimi absurd, i padëgjuar i KQZ-së  që të mos u pranohet vota atyre që votojnë me post e që nuk lajmërohen në telefon. A thua si do bëhen psh 200.000 telefonata jashtë shtetit. Kush do i bëjë ato, sa kohë duhen për to ? Çka ndodhë nëse dikush mund të jetë në punë  , edhe nuk e hap telefonin. Ky nuk është vetëm dekurajim për votim por edhe cenim i drejtës bazike për votë”, ka thënë Avdyli përmes një postimi në Facebook.

Ai ka thënë se në nëntor edhe për shkak Covid, për të eliminuar tollovitë, në zgjedhjet në SHBA përqindje e madhe e votave kanë ndodhë me postë.

“Te ne po kemi frikë nga demokracia dhe zëri qytetarëve. Diaspora është Kosova e dytë, mos u frikësohuni nga zëri tyre. Ata janë ne. Ne jemi ata”, ka thënë ndër të tjra Avdyli.